Dita e Kujtesës, Spiropali: Toleranca, dhuratë morale për Europën. Ministri izraelit: Historia e unike e Shqipërisë, shembull morali
Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme u zhvillua ceremonia përkujtimore me temë “Ura që lidh brezat”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Ministrja Spiropali theksoi rolin unik të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar se vendi ynë ishte i vetmi në Europë që e përfundoi luftën me më shumë hebrenj sesa e nisi. Ajo nënvizoi se ky shembull i solidaritetit dhe humanizmit është pjesë e kodit moral shqiptar dhe mbetet orientim edhe për politikën e jashtme të vendit.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që përfundoi Luftën e II Botërore me 15 herë më shumë hebrenj sesa e nisi. Shqipëria, në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe jetën. Ky shembull nuk i përket vetëm historisë. Orientimi ynë i drejtë në politikën tonë të jashtme e ka bërë Shqipërinë një partner e aleat të vlerësuar e të besuar. Shqipëria vendosi t’i bashkohej Bordit të Paqes të Presidentit Trump, si një vend që ka dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore. Shqipëria ka çfarë i dëshmon dhe i ofron botës edhe në këtë format me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të reja e të vjetra. Duke nisur nga Gaza, një vend që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jetë zgjidhja e vetme për izraelitët, palestinezët dhe të gjithë popujt e Lindjes së Mesme”, tha ajo.
Spiropali vuri në dukje se Shqipëria ka qenë gjithmonë e angazhuar për paqen, tolerancën dhe mbrojtjen e të drejtave universale, duke sjellë si shembull miratimin në vitin 2020 të përkufizimit të antisemitizmit sipas Aleancës Ndërkombëtare për Kujtimin e Holokaustit.
“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë. Paqja si kusht i domosdoshëm për mbijetesën e çdo vlere tjetër. Kjo është e vetmja formulë për të zgjidhur konfliktet kudo. Toleranca nuk është dobësi, por forca më e madhe njerëzore. Prandaj nuk e kemi luksin që këtë shembull mos ta ndajmë me të tjerë. Modestish ai duhet të jetë dhurata e çmuar që ne i bëjmë Europës. Ne besojmë te BE dhe i kemi të gjitha mundësitë për anëtarësim të plotë brenda pak vitesh. Ne besojmë se kemi çfarë të ofrojmë në këtë komunitet popujsh e shtetesh që besojnë te demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut. Në këtë ditë Ndërkombëtare të kujtimit të Holokaustit, ne nuk mjaftohemi me të shkuarën, vijmë me kontribute të reja. Në 2020 Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit sipas Aleancës Ndërkombëtare për kujtimin e Holokaustit. I jemi bashkuar udhëzuesve globalë për luftën kundër antisemitizmit dhe formave të tjera të mungesës së tolerancës duke dhënë mesazh të qartë se përballja me urrejtjen kërkon veprim të përbashkët dhe solidaritet ndërkombëtar”, theksoi Spiropali.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa’ar vlerësoi historinë unike të Shqipërisë, duke theksuar se asnjë hebre nuk u dorëzua nazistëve dhe se popullsia hebre në vend u rrit gjatë Holokaustit. Ai shprehu mirënjohjen e popullit hebre dhe shtetit të Izraelit për kurajën morale të shqiptarëve, duke theksuar se kujtesa e 6 milionë viktimave të Holokaustit duhet të mbetet një thirrje e përhershme: “Kurrë më!”.
“Historia unike e Shqipërisë qëndron sot si shembull morali. Ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë depërtoheshin në kampet e vdekjes, populli shqiptar u ngrit për t’i mbrojtura ata. Asnjë hebre nuk u çua drejt vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebre u rrit gjatë Holokaustit. Populli hebre dhe shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për kurajën tuaj. Vlerësojmë kurajën morale të Shqipërisë sot e kësaj dite. Vlerësojmë kryeministrin Edi Rama dhe udhëheqjen e tij morale. Kurrë nuk duhet të harrojmë 6 milionë gratë, burrat e fëmijët hebrenj të vrarë gjatë Holokausit. Kurrë më!” u shpreh ministri i jashtëm i Izraelit”, theksoi ai.
Ambasadori gjerman Karl Bergner e cilësoi Holokaustin si kapitullin më të errët në historinë e Gjermanisë, një krim që lindi nga urrejtja. Ai theksoi se është detyrë e përhershme të sigurohet që masakra të tilla të mos përsëriten kurrë më. Ai vlerësoi traditën shqiptare të tolerancës dhe mikpritjes, duke kujtuar se koncepti i besës çoi në strehimin e mijëra hebrenjve nga të krishterë e myslimanë gjatë Holokaustit.
Ambasadori e cilësoi me vend faktin që kryeministri Edi Rama ishte folësi kryesor në një seancë të rrallë të përbashkët në Knesset, si dëshmi e respektit ndërkombëtar për historinë unike të Shqipërisë.
“Holokausti është kapitulli më i errët në historinë e Gjermanisë. Është në krim që lindi nga urrejtje. Kurrë nuk duhet ta harrojmë vuajtjen që ju shkaktuam 6 milionë grave e burrave hebrenj. Është detyra jonë të sigurohemi që masakra të tilla të mos ndodhin kurrë më. Në 2026, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së II Botërore, është e thelbësore që t’i mbajmë gjallë mësimet nga Holokausti. Shqipëria është një vend ku toleranca, respekti për të tjerët ka traditë të gjatë. Mikpritja e famshme shqiptare dhe koncepti i besës, çuan në strehimin e mijëra hebrenjve gjatë Holokaustit nga të krishterë e myslimanë, një histori mjaft unike. Është mjaft me vend që kryeministri shqiptar Edi Rama ishte folësi kryesor në një seancë të rrallë të përbashkët në Knesset”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




