Dita e ndërgjegjësimit për Diabetin, institucionet e Kukësit: Në fokus kontrolli i sheqerit në gjak
Në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, specialistët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës kanë zhvilluar takime sensibilizuese me punonjësit e institucioneve të qytetit, ku janë kryer matje të nivelit të sheqerit në gjak.
Gjatë këtyre aktiviteteve, përveç matjeve, fokusi kryesor ka qenë informimi i qytetarëve lidhur me diabetin, shkaqet, pasojat dhe mënyrat e parandalimit të kësaj sëmundjeje që po prek gjithnjë e më shumë grupmosha të ndryshme.
“Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është matja e glukozës në gjak tek ato persona që nuk e kanë të diagnostifikuar diabetin dhe disa këshilla se si të kujdesen ata që janë të prekur, por edhe për të zbuluar nëse janë të prekur apo jo”, tha Mirjana Sopi, specialiste pranë NJVKSH Kukës.
Specialistët theksuan se diabeti mbetet një ndër sëmundjet kronike më të përhapura dhe se faktorë të ndryshëm si mënyra e jetesës, ushqyerja e pashëndetshme, mbipesha dhe predispozita gjenetike ndikojnë në shfaqjen e tij.
“Mosha, faktori gjenetik, obeziteti, mënyra jetesës, përdorimi i alkoolit dhe duhanit mund të ndikojnë në shfaqjen e diabetit”, tha Sopi.
Sa i përket simptomave të diabetit veçohet lodhje të vazhdueshme, humbje peshe pa shkak të dukshëm, probleme me shikimin, dhe shërim të ngadaltë të plagëve etj.
Specialistët apeluan për kontrolle të rregullta, pasi diagnostikimi i hershëm luan rol kyç në menaxhimin dhe trajtimin e sëmundjes.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




