Djemtë 13 vjeç të painformuar për vaksinën HPV, mjekët: Të përfshihen në informim edhe infermierët e shkollave
Futja në skemën e vaksinimit kombëtar edhe e djemve ndaj virusit “Human Papilloma” që prej 1 janarit duket një proces që do të marrë kohë për t’u aktivizuar siç duhet. Në qendrat shëndetësore janë paraqitur pak djem për t’u vaksinuar dhe kjo, sipas mjekëve, kërkon më shumë punë informuese me ta.
“Ne i bëjmë ftesë nëpër shkolla që të flasim, kemi 2-3 vite që kur u fut vaksina për vajzat 13-vjeç, flasim edhe për djemtë”, thotë Luljeta Qosja, pediatre në Qendrën Shëndetësore Kombinat.
Disa nxënës të një shkolle në Kombinat duken të painformuar për këtë vaksinë.
“Jo, nuk ka qenë folur në shkollë, se di për çfarë është.”
“Jo, nuk di asgjë, nuk e kam dëgjuar.”
“Jo, nuk më ka thënë as mësuesi, as prindërit.”
“Jo, nuk na kanë folur për këtë vaksinë.”, thanë disa nga nxënësit.
Mjekët pediatër thonë se në këtë proces duhet të përfshihen edhe infermierët e shkollave.
“Ne duam që të ndihmojnë edhe infermierët e shkollave që të punojnë për informimin, dhe duhet të jetë një orë e caktuar për të folur për vaksinën në çdo klasë. Kjo informon dhe bind rreth 80% të nxënësve që të vijnë për vaksinën,” shton Luljeta Qosja.
Pavarësisht fushatës së bërë me vajzat, ku kanë qenë prezent edhe djemtë, mjekët e konsultoreve do të dalin vetë nëpër shkolla dhe të bisedojnë me të gjithë nxënësit për rëndësinë e kësaj vaksine.
“Një vaksinë e mbron fëmijën nga 42 sëmundje, mos e penalizoni fëmijën nga lloji i vaksinës,” shprehet mjekja.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




