Doganat/ Beja takon Ambasadorin Abbott: Partneriteti me Britaninë, thelbësor në modernizimin e procedurave të kontrollit në kufi

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka pritur në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në fushën doganore dhe atë të sigurisë kufitare.
Gjatë bisedës, Beja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Administratës Doganore Shqiptare, duke theksuar se partneriteti me institucionet britanike ka qenë thelbësor në rritjen e kapaciteteve operacionale dhe në modernizimin e procedurave të kontrollit.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit konkret me strukturat si HM Revenue and Customs dhe programet e Home Office International Operations, veçanërisht në drejtim të teknologjisë dhe shkëmbimit të informacionit.
Nga ana e tij, Ambasadori Abbott vlerësoi progresin e bërë nga Dogana Shqiptare dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
“Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar në adresimin e sfidave të përbashkëta, si lufta kundër kontrabandës, trafiqeve të paligjshme dhe forcimi i kontrollit në kufi”, deklaroi Abbott. Ai theksoi rëndësinë e vijimit të projekteve të përbashkëta që synojnë rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.
Në vijim të takimit, bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht te rezultatet konkrete të bashkëpunimit ndër vite, përfshirë implementimin e sistemeve inteligjente të monitorimit në pikat e kalimit kufitar, si dhe operacionet e përbashkëta në Portin e Durrësit, të cilat kanë kontribuuar ndjeshëm në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve.
Palët diskutuan gjithashtu mbi nevojën për intensifikimin e shkëmbimit të informacionit dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për analizën e riskut, në funksion të përballimit të sfidave të reja që lidhen me sigurinë dhe tregtinë ndërkombëtare.
Takimi konfirmoi edhe një herë nivelin e lartë të bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe atyre britanike, si dhe angazhimin e përbashkët për ta çuar këtë partneritet në një fazë edhe më të avancuar, në shërbim të sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



