Dosja “5D”, SPAK kërkon dënimin me burg për ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë

SPAK ka kërkuar dënimin me burg të ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës dhe katër shtetasve të tjerë, të përshirë në abuzimin me tenderat në kuadër të dosjes “5D”.
SPAK ka paraqitur kërkesat për dënim me burg dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare për të pandehurit:
- Redi Molla – 11 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Mariglen Qato – 9 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Taulant Tusha – 4 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Albano Janku – 2 vite burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Enton Punavija – 3 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Julian Zanaj – 3 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Nestor Muhametllari – 7 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
SPAK ka kërkuar gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të paluajtshme:
- Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, dhe vlera e aktiviteve të deklaruara në organin tatimor në momentin e sekuestrimit ka qenë totale 148,884,372 leke.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m2, ndërtesë me sipërfaqe 164 m2, si dhe pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m2, ndodhur në rrugën “Tefta Tashko”, pranë Pazarit te Ri, Tiranë, të riregjistruara në emër të shtetasve Selim Molla dhe Ollga Molla me një vlerë prej 48,789,000 lekësh.
- Shoqërie “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si dhe 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare që po ndërton hotelin në zonën e Vollgës në Durrës, ku në përgjimet e SPAK dolën edhe biseda “është hoteli i Lali Erit”. Vlera e këtyre aksioneve tha SPAK është 20,853,864 leke, ndërsa vlerat e investuara nga shoqëria “Restur” sh.p.k në shoqërinë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k në formën e “dhënies hua nga ortaku” janë në total shumën prej 564,000 Euro.
- Pasuritë e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m2, dy vendparkime me sipërfaqe secili prej tyre prej 42 m2, si dhe pasuria e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m2 në emër të shtetases Sanie Qato, me vlerë 21,910,000 lekë.
Dy ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato, akuzohen nga SPAK për “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “pastrim parash”, në lidhje me procedurat e prokurimit publik të përfshira në dosjen “5D”.
Sipas hetimeve, ata janë arrestuar në mars të vitit 2024, pas një hetimi të nisur në vitin 2023. Prokuroria pretendon se Molla dhe Qato kanë favorizuar kompaninë e tyre, “5D Konstruksion”, në tenderat e dhënë nga Bashkia e Tiranës.
Organi i akuzës pretendon se dy ish-zyrtarët janë pronarët përfitues realë të kompanisë “5D Konstruksion”, e cila ka fituar 11 tendera nga Bashkia e Tiranës gjatë periudhës 2016–2022, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




