Dr. Lida Shosha në “Mirëmëngjes Shqipëri”: Kanceri kolorektal mund të parandalohet dhe kapet herët me kolonoskopi
Muaji mars, i njohur ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin kolorektal, u trajtua këtë mëngjes në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ku e ftuar ishte dr. Lida Shosha, kirurge e njohur në këtë fushë.
Në bisedën informuese, dr. Shosha shpjegoi se kanceri kolorektal është një tumor që prek zorrën e trashë dhe rektumin, duke theksuar se nuk ka një shkak të vetëm të përcaktuar, por një sërë faktorësh që e favorizojnë zhvillimin e tij.
Faktorët kryesorë të rrezikut: ushqyerja, mënyra e jetesës dhe gjenetika.
Sipas mjekes, rreziku lidhet me trashëgiminë familjare, por edhe me mënyrën e të ushqyerit dhe stilin e jetesës: obezitetin, konsumimin e alkoolit, duhanin, si dhe përdorimin e shpeshtë të mishrave të përpunuar (sallame, proshuta) dhe mishit të kuq në zgarë, të cilët u cilësuan si faktorë që rrisin ndjeshëm rrezikun për këtë lloj tumori.
“Parandalimi është më i mirë se kurimi”
Në fokus të bisedës ishte rëndësia e parandalimit. Dr. Shosha theksoi se programet e skriningut synojnë të kapin herët formacionet potencialisht malinje, si polipet adenomatoze, në faza kur pacienti nuk ka ende ankesa.
Ajo nënvizoi se në shumë vende me mjekësi të strukturuar ka programe të rregullta skriningu dhe fushata informimi, ndërsa në Shqipëri mungon një program i tillë i organizuar.
Kolonoskopia: “pasaporta më e sigurt e zorrës”
Mjekja e cilësoi kolonoskopinë si ekzaminimin bazë, që jep informacion në kohë reale mbi shëndetin e zorrës dhe evidenton polipe, ngushtime, ulçeracione, tumore apo problematika të tjera.
Ajo sqaroi se sot, për të rritur komoditetin dhe për të ulur frikën apo stigmatizimin, kolonoskopitë kryhen gjerësisht me anestezi (në gjumë), duke e bërë procesin më të lehtë si për pacientin, ashtu edhe për mjekun.
Kur duhet bërë kontrolli?
Gjatë intervistës u theksua se rekomandimet ndërkombëtare sugjerojnë që pas moshës 50 vjeç të kryhet kolonoskopi edhe pa simptoma, ndërsa në disa vende, duke parë rritjen e rasteve nën 50 vjeç, skriningu po shtyhet që të nisë që nga 45 vjeç.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar
Dr. Shosha renditi disa nga simptomat që duhet të shtyjnë menjëherë qytetarët drejt mjekut:
• gjakderdhje gjatë jashtëqitjes (gjak i pastër ose i përzier),
• ndryshime në ritmin e defekimit (kapsllëk, diarre, alternime),
• ndjesi fryrjeje, vështirësi në zbrazje,
• lodhje, anemi, rënie oreksi,
• dhimbje dhe parehati abdominale.
Ajo apeloi që qytetarët të mos vetë-mjekohen dhe të mos këshillohen “me komshiun”, por të kërkojnë konsultë mjekësore sapo shfaqen shenja të tilla.
Apel për programe skriningu dhe më shumë informim
Në përmbyllje, u përcoll thirrja që institucionet të shtojnë vëmendjen ndaj kësaj sëmundjeje dhe të ndërtohen programe të skriningut. Në studio u përmend se, sipas të dhënave të cituara gjatë bisedës, në Shqipëri regjistrohen mbi 520–530 raste të reja me kancer kolorektal në vit dhe mbi 300 persona humbin jetën përgjatë vitit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





