Drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili: Borxhi u ul me 27% falë masave për kontrollin e shpenzimeve. Forcuam kontrollin e brendshëm dhe rritëm transparencën institucionale
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, bëri të ditur se një nga prioritetet kryesore të drejtimit të saj ka qenë ulja e detyrimeve financiare të institucionit, si dhe forcimi i qeverisjes së brendshme dhe disiplinës financiare.
Në fjalën e saj, Vasili theksoi se RTSH ka arritur të reduktojë ndjeshëm nivelin e borxhit gjatë muajve të fundit, falë masave të ndërmarra për kontrollin e shpenzimeve dhe menaxhimin më të kujdesshëm të financave.
“Është punuar fort për uljen e borxhit. Kështu, nga 442 milionë lekë që ishte në datën 30 qershor 2025, në fund të muajit maj borxhi është ulur në 321 milionë lekë, ose 27% më pak. Ky ka qenë prioriteti ynë kryesor, përmes uljes së shpenzimeve dhe trajtimit me shumë rigorozitet të detyrimeve financiare. Këto masa kanë dhënë rezultatet e para konkrete në përmirësimin e situatës financiare të institucionit”, deklaroi Vasili.
Drejtoresha e Përgjithshme bëri me dije se gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë një sërë reformash të brendshme që synojnë rritjen e eficiencës administrative, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
“Gjatë vitit 2025 u morën masa për forcimin e qeverisjes së brendshme. U forcuan mekanizmat e kontrollit të brendshëm, u përmirësuan procedurat e planifikimit dhe monitorimit, si dhe u ndërmorën hapa konkretë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale”, u shpreh ajo.
Sipas Vasilit, një nga zhvillimet më të rëndësishme në aspektin organizativ ka qenë ngritja e funksionit të planifikimit dhe prokurimeve në nivel drejtorie, me synimin për të garantuar një menaxhim më efikas të burimeve financiare dhe investimeve.
“Një zhvillim me rëndësi të veçantë ishte ngritja e funksionit të planifikimit dhe prokurimeve në nivel drejtorie. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së disiplinës financiare dhe përmirësimit të proceseve të investimeve, duke mundësuar një kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve publike”, tha ajo.
Duke folur për ndryshimet organizative të ndërmarra në RTSH, Vasili theksoi se është realizuar një ristrukturim i pjesshëm i institucionit, me synimin për të qartësuar zinxhirin e përgjegjësive dhe për të përmirësuar koordinimin ndërmjet departamenteve.
“Është bërë një ristrukturim i pjesshëm, i cili kishte si synim riorganizimin e varësive të departamenteve që ndër vite ishin mbërthyer në një strukturë të fragmentuar dhe joefikase, ku shpeshherë mungonte qartësia e varësive dhe koordinimit ndërmjet njësive të ndryshme. Synimi ka qenë krijimi i një strukture më funksionale dhe më efektive në përmbushjen e objektivave të institucionit”, përfundoi Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



