Droni Bayraktar TB2 monitoron zjarret, Nufi: Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot komponent i rëndësishëm i FA. Të dhënat nga ajri ndihmojnë koordinimin e forcave

Droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore është angazhuar në monitorimin e situatës së zjarreve në vend, duke transmetuar në kohë reale të dhëna për vatrat aktive dhe përhapjen e flakëve.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka theksuar rëndësinë e përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot në mbështetje të operacioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Sipas tij, kapacitetet ajrore pa pilot janë një komponent i rëndësishëm i Forcave të Armatosura.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Nufi bën me dije se Bayraktar TB2 kryen misione monitorimi si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës, duke përcjellë në kohë reale informacion mbi vendndodhjen e vatrave të zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në operacione.
“Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot përbën një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura në mbështetje të operacioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore kryen misione monitorimi ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale informacion mbi vatrat e zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në të gjithë zonat e operacioneve. Të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse”, shkruan Ministri Nufi.
Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Mbrojtës, aktualisht aktive në vend janë 9 vatra. Në operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura po operojnë në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




