Dy pista për ngjarjen në Vlorë, Lamallari e Hita: Hetimet vijojnë, punohet për kapjen e personave të tjerë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Dy janë pistat kryesore, me të cilat po punon Policia e Vlorës për ngjarjen e ndodhur në Radhimë, ajo e gjobëvënies dhe konflikt për pronat.

Biznesmeni Vasil Bedinaj tha para grupit hetimor, se iu kërkuan për 5 milionë euro dhe largimi nga Shqipëria brenda 48 orësh, por personat e arrestuar, e mohuan pretendimin për gjobëvënie.

Biznesmeni Luan Muça dhe dy truprojat e tij deklaruan, se konflikti lidhet me një çështje pronësie për një tokë në Palasë, ku të dyja palët pretendojnë se kanë dokumente pronësie.

Dyshohet se mbivendosja e hartave kadastrale është në themel të kësaj përplasje.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita deklaruan nga Kukësi se po punohet për zbardhjen e gjithë ngjarjes dhe kapjen e personave ët tjerë të përfshirë.

“Vazhdojnë veprimet procedurale në bashkëpunim me prokurorinë. Vazhdon verifikimi i të gjithë pretendimeve të të gjithë palëve për kryerjen e veprimeve”, tha Hita.

“Pati menjëherë persona të arrestuar, personat të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do gjenden dhe do vihen përpara drejtësisë dhe Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe gjithë udhëzimeve të provuarit të çështjes për zbardhjen e plotë e ngjarjes dhe patjetër duke vënë përpara përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situate”, tha Lamallari.

Ngjarja u regjistrua mesditën e së enjtes, kur pas bisedës në dy biznesmenëve një nga truprojat e Bedinajt qëlloi me armën me leje që i përkiste biznesmenit, në drejtim të automjeteve të grupit të Muçës.

Një prej automjeteve, ku ndodhej edhe biznesmeni Luan Muça, u aksidentua gjatë ndjekjes nga policia.

Policia arrestoi 5 persona, mes tyre edhe biznesmeni Luan Muça, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim. Në kërkim është edhe vëllai I tij, ish-deputeti Bujar Muça.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme