E vjedhur në Gjermani/ Sekuestrohet makina me vlerë 140 mijë euro në Tiranë, në kërkim 42-vjeçari nga Kosova, procedohet drejtuesi

Aktualitet | 9 muaj më parë

Policia e Tiranës ka sekuestruar një automjet luksoz të dyshuar të vjedhur në Gjermani teksa ka shpallur në kërkim një 42-vjeçar nga Kosova dhe ka proceduar penalisht shtetasin shqiptar që e kishte blerë prej tij dhe e drejtonte.

Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri, me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit (njëkohësisht drejtues i automjetit, në momentin e ndalimit), shtetasi E. D., 39 vjeç. Punohet për kapjen e 42-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme