Edi Rama u ofron dialog protestuesve për të pestën herë

Aktualitet | 57 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot thirrjen për dialog me protestuesit, duke zgjedhur një formë të re simbolike pasi karriget dhe stolat e betonit të vendosura ditët e mëparshme u hoqën nga protestuesit.

Në një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, titulluar “Mirëmëngjes”, Rama tregon një stol të madh betoni të vendosur para godinës së Kryeministrisë, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “DIALOG”.

Kjo është dita e pestë radhazi që kreu i qeverisë përdor gjeste të tilla për t’i ftuar studentët dhe protestuesit e tjerë në tryezën e dialogut.

Pak ditë më parë ai rreshtoi karriget e kuqe me të njëjtin mesazh, por protestuesit i hoqën dhe thyen ato, duke këmbëngulur se nuk ka dialog pa dorëheqjen e tij teksa protestat kanë hyrë tashmë në ditën e 12, me pjesëmarrjen edhe të pedagogëve, ndërsa protestuesit vazhdojnë të refuzojnë çdo ftesë për bisedime dhe kërkojnë largimin e kryeministrit.

Ndërkaq, ditën e sotme është thirrur një tubim kombëtar në kryeqytet,  me të cilën janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme