Ekskluzive-Izet Mexhiti shpall fitoren në Çair, flet për RTSH: Qytetarët votuan ndryshimin, do të transformojmë sheshin “Skënderbej”

Maqedonia e Veriut | 12 muaj më parë

Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet lokale për komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) theksoi se rezultati zgjedhor konfirmon vullnetin e qytetarëve për ndryshim dhe forcimin e komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Mexhiti premtoi transformimin e Sheshit “Skënderbej” në Çair, duke e krahasuar me sheshin homolog në Tiranë, si një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij.

“U konfirmua fitorja e para një viti e zgjedhjeve parlamentare. Ne si VLEN, kemi paraqitur konceptin që do të shkojmë në zgjedhje lokale për komuna më të fuqishme, për decentralizim më të fuqishëm. Opozita shqiptare kërkoi referendum, kërkoi betejë për legjitimitet, sidomos në Çair, në Tetovë. Ua mundësuam edhe këtë. U vërtetua edhe Çairi, edhe Tetova. Kështu qytetarët votuan dhe vërtetuan ndryshimin. Ne na mbetet t’i falënderojmë dhe vazhdojmë me projektet për shqiptarët”, u përgjigj Mexhiti kur u pyet nga gazetarja e RTSH-së, Jonida Omeri, se si e lexonte ai rezultatin e zgjedhjeve.  

Sipas Mexhitit, fitorja në Çair dhe Tetovë pasqyron një referendum popullor për ndryshime rrënjësore në qeverisjen lokale, duke sfiduar dominimin e deritanishëm të forcave tradicionale politike shqiptare, veçanërisht Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Ai e cilësoi rezultatin si një dëshmi të legjitimitetit të VLEN-it si forcë politike që përfaqëson aspiratat e reja të komunitetit shqiptar.

Mexhiti zbuloi prioritetet e tij të menjëhershme për komunën e Çairit, duke vënë theksin te zhvillimi urban dhe përmirësimi i infrastrukturës.

“E para, për 2-3 javë do të fillojmë fazën e tretë e Sheshit Skënderbej për ta bërë aq bukur sa Sheshi Skënderbej në Tiranë dhe parking nëntokësor për 800 vetura dhe do jetë sheshi më i madh në Shkup,” deklaroi ai për mikrofonin e RTSH-së.  

Ndërkaq, sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Çairi regjistroi një pjesëmarrje prej 35.30% deri pasdite vonë, një tregues i interesit të lartë të votuesve në këtë komunë me shumicë shqiptare.

Fitorja e Mexhitit vjen pas një fushate intensive ku VLEN promovoi një platformë të bazuar në decentralizim, zhvillim ekonomik dhe transparencë në qeverisjen lokale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme