Ekspozimi i fëmijëve në diell, mjekja: Shmangni orët e nxehta, përdorni krem mbrojtës me filtër të lartë
Ekspozimi i tepërt në diell gjatë ditëve të plazhit mund të sjellë pasoja për shëndetin e fëmijëve. Mjekët këshillojnë prindërit të tregojnë kujdes, veçanërisht me fëmijët e vegjël.
Qëndrimi për një kohë të gjatë në diell mund të shkaktojë djegie të lëkurës, dehidratim dhe shqetësime të tjera. Për këtë arsye, rekomandohet shmangia e ekspozimit në orët më të nxehta të ditës.
“E mira është që të ekspozohen në orët e para të mëngjesit dhe të largohen pas orës 9:30. Domethënë, nuk është e mira që të rrinë më gjatë në diell fëmijët. Po kështu edhe pasdite. Pas orës 5:00-6:00 mund të ekspozohen në diell”, tha mjekja pediatre Manjola Shpori.
Ekspozimi i zgjatur në pishina mund të shkaktojë infeksione të veshit, infeksione urinare, infeksione të lëkurës, si dhe alergji nga dielli. E rëndësishme është edhe përdorimi i kremrave mbrojtës, të cilët duhet të jenë të përshtatshëm për moshën e fëmijës dhe të aplikohen disa herë gjatë qëndrimit në plazh.
“Duhet të përdorim krem mbrojtës me filtër të lartë dhe të firmave serioze”, tha ajo.
Kujdesi dhe mbrojtja nga dielli mbeten të domosdoshme për të shmangur problemet shëndetësore gjatë ditëve të nxehta të verës.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





