El Salvadori dërgon forca speciale në Haiti pas zhdukjes së 4 ushtarëve

El Salvadori ka dislokuar një kontingjent me trupa të forcave speciale në Haiti, pasi katër ushtarë salvadorianë, pjesë e forcës së mbështetur nga OKB-ja, u zhdukën vijimësisht pas një prite të armatosur nga bandat vendase.
Sipas njoftimit zyrtar të Forcës për Shtypjen e Bandave (GSF), kontingjenti me rreth 200 ushtarë mbërriti në kryeqytetin Port-au-Prince për të mbështetur operacionet e kërkimit dhe sigurisë në zonën Plaine du Cul-de-Sac. Operacionet po zhvillohen në koordinim të ngushtë me Policinë Kombëtare të Haitit.
Katër ushtarët salvadorianë — të cilët shërbenin si teknikë aviacionit për evakuime mjekësore — u zunë në pritë të dielën teksa po ktheheshin në bazë me një mjet të blinduar. Sipas të dërguarit të SHBA-së në OKB, Mike Waltz, sulmuesit qëlluan me qindra plumbash dhe përdorën lëndë eksplozive ndaj mjetit, por autoritetet besojnë se katër ushtarët kanë mbijetuar dhe po mbahen peng.
Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, reagoi me tone mjaft të ashpra ndaj drejtuesve të bandave në Haiti, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ushtarëve.
“Dua që ju, krerët e bandave, ta kuptoni një gjë shumë qartë: sulmi i sotëm nuk është asgjë në krahasim me atë që po vjen nëse nuk i marrim mbrapsht të katërt pengjet të gjallë. Ne i dhamë fund bandave në El Salvador dhe mund t’ju japim fund edhe juve,” deklaroi Bukele.
Haiti vijon të jetë në një krizë të thellë sigurie dhe politike, ku bandat e armatosura kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit. Autoritete vendase shtynë pa afat zgjedhjet që ishin parashikuar për në dhjetor, ndërsa vendi nuk ka mbajtur zgjedhje që nga viti 2016 dhe mbetet pa president që nga vrasja e udhëheqësit të tij në vitin 2021.
Misioni ndërkombëtar i sigurisë (GSF) ka për qëllim arritjen e 5,500 trupave për të ndihmuar policinë vendase, por deri më tani ka vetëm rreth 2,000 pjesëtarë të dislokuar nga gjashtë shtete kontribuuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



