Erion Veliaj miraton nga IEVP Durrës dorëheqjet në Bashkinë e Tiranës dhe fondet për çerdhet e pensionistët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë sot vendimmarrjet e tij të para administrative nga ambientet e IEVP Durrës, ku ndodhet në masën e paraburgimit prej 19 muajsh.
Sipas një njoftimi zyrtar të shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kryebashkiaku ka miratuar lirimin nga detyra të tre drejtuesve kryesorë të kabinetit të tij, duke pranuar dorëheqjet e zëvendëskryetares Anuela Ristani, Sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha, si dhe shefes së Kabinetit, Blerina Beshku.
Paralelisht me lëvizjet administrative në stafin drejtues, Veliaj ka kryer edhe zhbllokimin e financave të institucionit. Nga njoftimi bëhet e ditur se të gjitha listëpagesat e Bashkisë së Tiranës janë firmosur prej tij brenda një ore nga momenti i mbërritjes së dokumentacionit në paraburgimin e Durrësit. Po nga qelia, kryebashkiaku ka miratuar disa vendime me efekt financiar për kryeqytetin.
Çerdhet dhe kopshtet
Është miratuar një shtesë fondesh e dedikuar për garantimin e financimit dhe mbarëvajtjen e punës në institucionet arsimore parashkollore.
Transporti publik
Është miratuar alokimi i fondeve që siguron vijueshmërinë e skemës së aboneve falas për të gjithë pensionistët e Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



