Erjon Riçku emërohet në krye të Doganës Tiranë: Prioritet, efikasiteti dhe transparenca

Aktualitet | 8 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, prezantoi sot përpara stafit të administratës doganore të Tiranës, kryetarin e ri të kësaj dege, Erjon Riçku, i cili merr detyrën në vijim të drejtimit trevjeçar të Ermal Shemës në një prej pikave më të rëndësishme të Administratës Doganore në vend.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm falënderoi z. Shema për angazhimin dhe drejtimin e deritanishëm, duke vlerësuar kontributin dhe bashkëpunimin e tij gjatë kësaj periudhe. Duke prezantuar kreun e ri, z. Beja theksoi se Erjon Riçku vjen nga një eksperiencë e gjatë dhe e suksesshme në administratën shtetërore, çka përbën një vlerë të shtuar për drejtimin e Degës së Doganës Tiranë.

Ai nënvizoi se përpara strukturës që ai do të drejtojë qëndrojnë sfida të rëndësishme dhe nevoja për përmirësimin e mëtejshëm të shumë aspekteve të punës. Drejtori i Përgjithshëm theksoi se zbatimi i ligjit duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo veprimtarie, ndërsa objektivat dhe plani i punës duhet të orientohen drejt rritjes së efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimit.

Në fokus, shtoi ai, duhet të jetë ndërtimi i një shërbimi model ndaj biznesit, ku kujdesi ndaj qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë, sjellja profesionale dhe etika në komunikim të jenë standard i përditshëm pune.

“Dogana e Tiranës është fytyra e administratës doganore. Mënyra si funksionon dhe si sillet me biznesin dhe qytetarët reflekton drejtpërdrejt imazhin e institucionit tonë”, theksoi Beja, duke kërkuar angazhim maksimal nga i gjithë stafi për përmbushjen e objektivave të vendosura.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme