Famullitari i Shkodrës për protestat – Dom Pllumaj: Palët duhet të lëshojnë ndaj njera- tjetrës
Dom Mikel Pllumaj, ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në vend. Duke folur për protestat dhe përplasjet mes palëve, famulllitari I Shkodrës ka thënë se shqiptarët nuk duhet të vriten me njëri- tjetrin, ndërsa ka apeluar palët që të lëshojnë ndaj kërkresave të njëra- tjetrës.
“Provoni të imagjinoni çfarë ka ndodhur këto katër apo pesë ditët e fundit. Nuk është mirë. As për njërën palë, as për tjetrën palë, as për rininë, as për policinë, bij të të njëjtit vend, që derdhin gjakun e njëri-tjetrit, që duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Pse përfundon njeriu në këtë gjendje? Duket se ne shqiptarët nuk kemi fare shpirt për njëri-tjetrin. Edhe ata bij që e kanë drejtuar këtë vend prej kaq vitesh janë bijtë tanë, të të njëjtit vend. Gjakun tonë nuk na e ka sjellë askush tjetër. Sa e rëndësishme është, vëllezër dhe motra të dashur, të jemi të formuar, të formuar mirë në mendje dhe në zemër. Sa e rëndësishme është ta lejojmë kulturën e dashurisë së Krishtit të prekë shpirtin e shqiptarit.”
Deklaratat e famullitarit katolik të Shkodrës, u bënë gjatë kremtimeve të vigjiljes së festës së Zojës së Shkodrës, pajtore e qytetit. Për nder të kësaj feste, zhvillohen një sërë aktivitetesh që kulmojnë me spektaklin e fishekzjarreve.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




