Festat e fundvitit, ministrja Sala: Spitalet në gatishmëri të plotë. Brataj: Vlora do ketë urgjencë rajonale me kapacitete si Tirana

Shëndet | 9 muaj më parë

Në kuadër të përgatitjeve për periudhën festive të fundvitit, vijon edhe puna për forcimin e kapaciteteve të shërbimeve mjekësore, si dhe përgatitjen për menaxhimin e urgjencave gjatë festave.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e shoqëruar nga Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, inspektuan punimet për qendrën “back up” të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, një strukturë strategjike që forcon më tej kapacitetet e reagimit ndaj emergjencave shëndetësore.

“Ju falënderoj të gjithëve, ekipin e mjekëve, infermierëve, të gjithë personelin e spitaleve që këto ditë do të jenë në gatishmëri 24/7 për t’iu ardhur në ndihmë atyre që do të kenë nevojë për shërbim shëndetësor. Faleminderit për gatishmërinë, profesionalizmin dhe pasionin që tregoni në punën tuaj. Gatishmëria juaj është siguri për qetësinë e qytetarëve, për mbarëvajtjen e festave dhe për funksionimin normal të të gjithë sistemit shëndetësor,” u shpreh ministrja Sala.

Brataj theksoi rëndësinë e këtij objekti të ri duke u shprehur se qendra do të ketë kapacitete të ngjashme me ato të Tiranës dhe do të mund të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast nevoje.

“Qendra do të jetë njësoj si Tirana dhe nëse njëri dëmtohet tjetri ka kapacitetet të përballojë të gjithë Shqipërinë dhe do të shërbejnë si backup për njëri-tjetrin”, tha Brataj.

Brataj gjithashtu u ndal te gatishmëria e shtuar për periudhën e fundvitit, ku tha se janë marrë masa shtesë për të rritur numrin e ekipeve mjekësore në terren dhe për të siguruar që medikamentet dhe materialet e nevojshme janë në dispozicion.

“Edhe këtë vit për forcimin e kapaciteteve të shërbimeve për fundvit dhe 31, 1, 2, janë ditët ku ne jemi më shumë në alert për shkak të aksidenteve nga përdorimi i alkoolit apo edhe plagosjet më lëndë piroteknike kemi shtuara ekipet, medikamentet dhe materialet. Kemi një personel në gatishmëri nëse do jetë e nevojshme. Për festën e ndërrimit të viteve në sheshet e qyteteve aktivizohet një ekip shtesë përtej masave të marra për të garantuar sigurinë dhe mbulim të plotë të shërbimit”, tha Brataj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme