Kryepiskopi Joan në Bruksel: Integrimi europian, i dobishëm për Kishën, popullin shqiptar dhe vetë Europën

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Shqipërisë, Imzot Joan, zhvilloi sot një seri takimesh të rëndësishme në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.
Vizita e tij u zhvillua në kuadër të konferencës së Parlamentit Europian kushtuar “Jetës, Veprës dhe Trashëgimisë së Kryepiskopit të lumur Anastas”, në përvjetorin e parë të jetëndërrimit të tij.
Kryepiskopi Joan u takua me Komisionerin Europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së Kryepiskopit Anastas dhe në vizionin e tij për të ardhmen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. “Kisha duhet të mbetet një zë i fuqishëm dhe i pavarur në shoqërinë shqiptare, e cila përballet me sfida të mëdha si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike,” u shpreh Fortlumturia e Tij.
Gjithashtu, ai zhvilloi një takim me Kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio. Ky takim u cilësua me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh rolin kyç të delegacionit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në një tjetër takim, Kryepiskopi Joan u takua me Bashkëkryetaren e Grupit të Punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko. Diskutimet u fokusuan te liria fetare në Europë dhe modeli i bashkëjetesës harmonike të komuniteteve fetare në Shqipëri. “Komunitetet fetare në vendin tonë vazhdojnë të përballen me sfida, veçanërisht përsa i përket çështjeve pronësore,” theksoi ai.
Në të gjitha takimet, Kryepiskopi Joan nënvizoi rëndësinë e integrimit europian të Shqipërisë. “Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për Kishën Orthodhokse dhe komunitetet fetare, por për popullin shqiptar dhe vetë Europën,” deklaroi ai.
Prania e Kreut të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane u vlerësua si një moment i veçantë, në një kohë kritike për negociatat e anëtarësimit të vendit. Kisha Orthodhokse, përmes veprës së saj sociale, arsimore dhe shpirtërore, mbetet një urë lidhëse e fuqishme midis Shqipërisë dhe Europës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







