Forumi në Davos, Trump: Negociata të menjëhershme për blerjen e Groenlandës, por nuk do përdorim forcë

Botë | 9 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur kritika të forta ndaj Evropës gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar se kontinenti “nuk po shkon në drejtimin e duhur”.

“E dua Evropën, dua ta shoh të bëjë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur,” tha ai.

Duke folur për çështjen e Groenlandës, Trump këkroi “negociata të menjëhershme” për blerjen e Groenlandës.

Presidenti Trump theksoi se Groenlanda ka një rëndësi të veçantë për sigurinë strategjike kombëtare të SHBA-së dhe për sigurinë globale.

Trump, ka deklaruar se SHBA-të nuk do të përdorin forcë të tepruar, duke iu referuar diskutimeve mbi Groenlandën, ndërsa theksoi se Uashingtoni po kërkon vetëm negociata për blerjen e territorit.

“Nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë të tepërt, do të ishim të pandalshëm, por nuk do ta bëjmë këtë,” u shpreh Trump.

Ai kritikoi Danimarkën, duke deklaruar se “nuk ka asnjë shenjë të saj në ishull” dhe se Kopenhagen po shpenzon më pak fonde sesa kishte premtuar për Groenlandën. Sipas Trump, vetëm SHBA-të janë në gjendje të garantojnë mbrojtjen, zhvillimin dhe përmirësimin e këtij territori strategjik.

“Janë vetëm SHBA-të që mund ta mbrojnë këtë masë gjigante toke, këtë copë gjigante akulli,” tha Trump, duke nënvizuar se kjo është arsyeja pse ai po kërkon “negociata të menjëhershme” për blerjen e Groenlandës.

Presidenti amerikan minimizoi rëndësinë e burimeve natyrore, duke deklaruar se “nuk ka diçka të tillë si materiale të rralla tokësore në Groenlandë”, ndërsa theksoi se ajo që ka vërtet rëndësi është pozicioni strategjik i saj.

Trump: SHBA-të trajtohen padrejtësisht nga NATO

Presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur qëndrimin e tij kritik ndaj NATO-s dhe Evropës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “japin shumë dhe marrin pak në këmbim”. Ai theksoi rolin e madh të SHBA-ve në aleancë, duke deklaruar se “nuk do ta kishit NATO-n nëse unë nuk do të përfshihesha. Ata nuk e vlerësojnë atë që bëjmë ne.”

Duke u ndalur tek konflikti në Ukrainë, Trump theksoi se NATO duhet të ndihmojë në ndalimin e luftës, pasi shumë njerëz po vdesin pa nevojë. Ai shtoi se SHBA-të do të jenë aty për aleancën 100%, por nuk është i sigurt nëse aleatët do t’i kthejnë nderin.

Në lidhje me Groenlandën, Trump ka sugjeruar SHBA-të tashmë mund të stacionojnë më shumë trupa

Forumi në Davos, Trump: Evropa s’po shkon në drejtimin e duhur

Trump u shpreh se “nuk e njeh më Evropën”, duke theksuar se, ndonëse dëshiron ta shohë të ecë përpara, politikat aktuale po e çojnë atë në një rrugë të gabuar.

Ai theksoi se politikat e imigracionit dhe ato ekonomike kanë sjellë, sipas tij, pasoja negative për vendet evropiane.

“Miq që kthehen nga vende të ndryshme më thonë: ‘Nuk e njoh më atë vend’. Dhe kjo nuk është në një mënyrë pozitive, por shumë negative,” u shpreh Trump.

Ai krahasoi situatën në Evropë me atë që e cilësoi si një “mrekulli ekonomike” në Shtetet e Bashkuara, duke kritikuar shpenzimet qeveritare në rritje, migrimin masiv të pakontrolluar dhe importet e shumta të huaja në vendet evropiane.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh në marrëdhëniet SHBA–Evropë, të cilat janë vënë në provë edhe nga qëndrimet e tij të fundit mbi aneksimin e Groenlandës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme