Fuqizimi i Spitalit të Kavajës, emërohet drejtori i ri, Balla: Domosdoshmëri për një zonë me 1 milion turistë

Shëndet | 5 muaj më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për fuqizimin e kapaciteteve të Spitalit të Kavajës, duke e cilësuar këtë si një hap strategjik për shëndetësinë në zonën bregdetare. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Balla nënvizoi se pozicioni gjeografik dhe fluksi i lartë i vizitorëve e bëjnë të domosdoshme praninë e një spitali me gamë të plotë specialitetesh.

Sipas kreut të grupit të mazhorancës, Kavaja përballet me një kërkesë të lartë për shërbime shëndetësore, sidomos gjatë sezonit verior.

“Bashkia e Kavajës, për nga pozicioni dhe popullsia ku përfshihet dhe numri shumë i madh i turistëve (mbi 1 milion), e ka të domosdoshëm spitalin me të gjitha specialitetet”, theksoi Balla, duke i dhënë mbështetje politike planit të zgjerimit të shërbimeve.

Pjesë e këtij plani për fuqizimin e spitalit është edhe emërimi i drejtuesit të ri. Detyra i është besuar mjekut të njohur Arben Rrugia, i cili vjen në këtë pozicion pas një përvoje të gjatë në administrimin e spitaleve të nivelit kombëtar.

Duke vlerësuar figurën e drejtuesit të ri, Balla u shpreh:

“Urime mjekut të njohur Arben Rrugia, i cili pas eksperiencave drejtuese në spitalet kombëtare, prej sot mori detyrën e drejtimit të spitalit të rëndësishëm të Kavajës. Duhet një përmirësim dhe afrim më pranë njerëzve të shërbimit në Kavajë.”

Fokusi kryesor mbetet përmirësimi i etikës së shërbimit dhe sigurimi i gatishmërisë për të përballuar fluksin turistik që kalon pragun e 1 milion vizitorëve në vit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme