Gjermania arreston ukrainasin, dyshohet për spiunazh në favor të Rusisë

Europë | 1 orë më parë

Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas ukrainas të dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, i cili grumbullonte informacione mbi furnizimet ushtarake dhe planifikonte aktivitete të tjera.

I dyshuari, i identifikuar si Vadym Y., u arrestua në landin Brandenburg pasi kishte filluar bashkëpunimin me shërbimin e inteligjencës ruse përmes një ndërmjetësi në korrik 2025.

53-vjeçari dyshohet se ka mbledhur të dhëna për “prodhimin e mjeteve të blinduara, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe informacione për personelin dhe objektet ushtarake në vendet e destinuara për të siguruar krahun lindor të NATO-s”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Federale Gjermane.

I dyshuari ka grumbulluar inteligjencë kryesisht përmes burimeve të hapura dhe ka kërkuar ndihmë nga “persona nga industria europiane e armatimeve”.

“Një pjesë e informacionit ishte e disponueshme publikisht; për pjesën tjetër, i akuzuari rekrutoi me qëllim persona nga industria europiane e armatimeve,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gjykata pritet të vendosë të premten për paraburgimin e të dyshuarit.

Në shtator, Berlini deklaroi se Rusia qëndronte pas tentativës të sulmit me dron në aeroportin e Leipzigut. Droni i ngarkuar me eksploziv u zbulua pranë një avioni kargo Antonov ukrainas që përdorej për furnizime ushtarake në aeroportin në lindje të Gjermanisë, një qendër e rëndësishme për NATO-n dhe Kievin.

Gjatë tetë muajve të parë të vitit, autoritetet gjermane kanë zbuluar 165 raste të dyshuara sabotazhi dhe 747 incidente të dyshimta me dronë në të gjithë vendin. Në prill, u arrestua gjithashtu një ukrainas dhe një letonez të dyshuar për përgatitjen e akteve të sabotazhit.

Agjencitë europiane i kanë lidhur këto raste me përpjekjet e shtuara të Rusisë për të dëmtuar mbështetjen e Europës ndaj Ukrainës.

Ndërkohë, Berlini miratoi planet për mbylljen e “Shtëpisë Ruse”, një institucion kulturor i administruar nga shteti rus në Berlin, për shkak të shqetësimeve se Moska mund ta përdorte objektin për të mbuluar operacione inteligjence.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme