GJKKO kalon dosjen për gjykim- Kryemadhi: Tani do kënaqeni!
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-kryetares së LSI Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.
Vendimi u mor nga gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, e cila mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes pas një procesi që zgjati tetë muaj, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim.
Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi dhe avokati i Ilr Metës, Kujtim Cakrani, reaguan pas vendimit të GJKKO-së për kalimin e dosjes në gjykim.
Kryemadhi e cilësoi procesin si një gjyq politik të diktuar nga presioni, duke akuzuar sistemin e drejtësisë se është i kapur nga qeveria dhe se ka shpenzuar miliona euro për një “inkuizicion politik”.
Ajo theksoi se gjyqtarja pranoi mungesën e provave dhe se beteja e saj tashmë është në opinionin publik dhe me Zotin.
Nga ana tjetër, Avokati Kujtim Cakrani, e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe me mangësi në vlerësimin e provave sepse sipas tij, ka mangësi thelbësore në trajtimin e të ardhurave të dy të pandehurve.
Ai theksoi se Meta dhe Kryemadhi kanë qenë deputetë dhe kanë pasur role të ndryshme në jetën politike të vendit, ndërsa gjykata i ka trajtuar sikur Kryemadhi të mos kishte kryer asnjë funksion publik.
Cakrani shtoi se kërkesa për gjykim të shkurtuar u refuzua, edhe pse sipas tij ky proces aplikohet kur nuk ka kontestime mbi aktet dhe provat.
Meta dhe Kryemadhi, akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gjyqtarja rrëzoi të gjitha kërkesat e mbrojtjes për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave, duke hapur rrugën për gjykimin e çështjes.
SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi çështjen në gjykatë.
Dosja përfshin tre hetime kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet aktualisht në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024.
Monika Kryemadhi:
Avokati z. Cakrani ishte shumë i indinjuar sepse kishte pritshmëri të mëdha, por unë nuk kam pasur pritshmëri nga drejtësia e Edi Ramës, drejtësia e drogës dhe drejtësia e kryepolicave. Po të kthehej çështja për gjykim, ne nuk do të takoheshim bashkë, vetëm një herë në muaj, por tani që çështja do të shkojë në gjykim në themel, ne do të kënaqemi në seancat gjyqësore. Do ta shohim injorancën e gjyqtarëve, ku është për të ardhur keq që SHBA dhe BE kanë harxhuar mbi 140 milionë euro për të sjellë një inkuizicion politik.
Një gjë të mirë bëri gjyqtarja që renditi dhjetë fakte që nuk i ka bërë prokuroria, ku akuzohemi se me Adrian Shatkun kemi bërë korrupsion, por Shatku nuk është marrë asnjëherë në pyetje. Përmendet në dosje mbi 340 herë dhe nuk i është çuar asnjë letër-porosi për të verifikuar nëse ekziston apo jo ky njeri. Ky është një gjyq politik. Beteja jonë është me veten dhe me Zotin. Ishte një vendim nën presion. Analizën financiare e ka bërë një eksperte që dy javë pasi dorëzoi analizën, u kandidua për bordin dhe u përdor aty. Kjo është një drejtësi qesharake. Në Strasburg, zotit Meta i jepet një shans i madh, edhe për të treguar miliona dollarë që janë paguar për një sistem drejtësie. Nuk jam e surprizuar, jam e bindur që është gjyq politik.
Fatin tonë në dorë nuk e ka as GJKKO, as prokuroria, por e kemi vetë në dorë. Është betejë në opinionin publik, beteja ligjore ka mbaruar. Beteja jonë është me vetveten dhe me Zotin, marrëdhënien tonë e kemi me Zotin. Sa i përket vendimit të sotëm, ishte vendim nën presion. Gjyqtarja pranoi se në dosje nuk ka asnjë provë.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani
Edhe përsa i përket të ardhurave të Ilir Metës aty ka një mangësi thelbësore, sepse ka probleme përsa i përket të ardhurave të z. Meta dhe znj. Kryemadhi. Kanë qenë të dy deputetë, kanë pasur role të ndryshme në gjithë jetën politike të vendit. T’i trajtosh këto çështje sikur znj. Kryemadhi ka qenë kryefamiljare, shtëpiake dhe nuk ka kryer asnjë funksion në jetën e saj, vetëm kjo gjykatë mund ta bënte. Nëse ne do të kishim kërkuar gjykim të shkurtuar, sipas gjykatës provat nuk ishin të plota, por gjykimi i shkurtuar kërkohet kur nuk kemi kontestime mbi aktet dhe provat. Ndërkohë, tre bashkë të pandehurit kërkuan gjykim të shkurtuar dhe nuk është pranuar.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



