GJKKO rrëzon kërkesën e Ballukut, mbetet në fuqi masa e pezullimit nga detyra

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar kërkesën e Belinda Ballukut, e cila kishte kërkuar “revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Në njoftimin e Gjykatës së Posaçme, theksohet se Balluku ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë)”, të caktuar ndaj kërkueses me Vendimin Nr. 118, dt.19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Konstatimin e shuarjes/rënies së kësaj mase sigurimi personal me karakter ndalues.”
Pasi ka shqyrtuar kërkesën e Ballukut, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendëskryeministres. Ndërsa thekson se “kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës”.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 260/1, 262/2 dhe 267 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 229 datë 13.03.2026, vendosi: 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses (të pandehurës) Belinda Balluku. 2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




