Arratisja e Altin Ndocit, Gjykata lë në burg ish-drejtorin e burgut të Durrësit

Aktualitet | 9 muaj më parë

Gjykata e Durrësit nuk ka ndryshuar masat e sigurisë për ish-drejtorin e burgut, Indrit Cerloj, dhe mjeken e këtij institucioni, Ylfete Sema.

Mëngjesin e së hënës, gjykata zhvilloi seancën me objekt “Marrje në pyetje dhe verifikim kushtesh” për ish-drejtorin e burgut të Durrësit dhe mjeken e institucionit. Gjyqtari i çështjes, Xhevdet Lika, pasi dëgjoi pretendimet e prokurorisë, e përfaqësuar nga prokurori Edmon Koloshi, si dhe avokatët e dy personave nën hetim, vendosi lënien në fuqi të masave të dhëna më parë në mungesë për të dy personat.

Për ish-drejtorin e burgut, Indrit Cerloj, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa për mjeken Ylfete Sema ishte caktuar masa arrest në shtëpi.

Pas seancës, avokatët mbrojtës folën për mediat, duke i quajtur të padrejta vendimet e marra deri tani:

 “Jemi plotësisht dakord, është një ngjarje shumë e rëndë që ka cënuar sigurinë, sistemin e drejtësisë dhe atë të burgjeve, por përgjegjësia është personale dhe individuale. Çmojmë se kemi të bëjmë me një interpretim të gabuar të ligjit dhe akteve nënligjore, në lidhje me detyrat dhe funksionet që ka një drejtues IEVP-së në krahasim me policinë e burgjeve dhe personalin mbështetës. Gjithë akuza ndaj drejtorit është se ka firmosur një shkresë nga sektori i shëndetësisë që duhet të shkonte një nga të paraburgosurit për vizitë në spital, duke mos verifikuar nëse e ka vizituar apo jo mjeku i IEVP-së. Kur mjeku firmos kartelën dhe rekomandimin shtesë, do të thotë se ai e ka vizituar dhe e ka parë pacientin. Kjo është e gjithë akuza ndaj ish-drejtorit”,  tha Ndriçim Troplini, avokat i Indrit Cerlojt.

 “Zonja Ylfete është e pafajshme dhe nuk ka kryer asnjë veprim të kundraligjshëm. Megjithatë, këto janë procedura, hetimet do të vijojnë dhe përfundimisht e vërteta do të zbardhet. Kishim shumë pretendime për masën, sepse në të gjitha kushtet dhe rrethanat znj. Ylfete Sema nuk mund të përfshihej në atë ngjarje. Situata shëndetësore e shtetasit që u largua ka qenë e rëndë,”  tha Tone Lekgegaj, avokate e Ylfete Semës.

Dy ditë më parë, po kjo gjykatë zhvilloi vlerësimin e masës së sigurisë për 8 punonjës të burgut të arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali, duke lënë 3 prej tyre me arrest në burg, 2 me arrest shtëpie dhe 3 me detyrim paraqitjeje.

Altin Ndoci, prej 20 majit 2020, ishte në Burgun e Durrësit me masë sigurimi “Arrest në burg”, i akuzuar për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerjen e veprave penale nga një grup i strukturuar kriminal. Ai u arratis më 13 janar nga ambientet e spitalit të Durrësit, ku ndodhej për një vizitë mjekësore, dhe deri tani nuk ka asnjë pistë të mundshme për vendndodhjen e tij.

Gazetare: Nermin Spahiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme