Gjykata Kushtetuese prezanton Raportin Vjetor 2025: 605 çështje të trajtuara, 17% më shumë kërkesa se në 2024

Gjykata Kushtetuese prezantoi sot Raportin Vjetor 2025, duke nënvizuar një rritje të ndjeshme të kërkesave krahasuar me vitin e kaluar. Kryetarja Fiona Papajorgji e cilësoi vitin si një periudhë të rëndësishme në konsolidimin e jurisprudencës kushtetuese dhe forcimin e rolit të Gjykatës si garant i rendit kushtetues dhe të drejtave themelore.
“Numri në rritje i kërkesave është vlerësuar si shprehje e rritjes së besimit të publikut në garancitë e drejtësisë kushtetuese, si dhe si afirmim i rolit të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”, tha ajo.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë vitit 2025, Gjykata trajtoi gjithsej 605 çështje, nga të cilat 501 ishin kërkesa të reja dhe 104 të mbartura. Krahasuar me vitin 2024, numri i kërkesave është rritur me 17%.
Në vendimmarrje, Gjykata dha 429 vendime, prej të cilave 85 ishin përfundimtare dhe përbënin rreth 20% të totalit, ndërsa pjesa tjetër prej 344 vendimesh (80%) ishin moskalime. Nga vendimet përfundimtare, 33 përfunduan me pranim të pjesshëm, 28 me pranim të plotë, 23 me rrëzim dhe vetëm një rast u pushua.
Sa i përket afatave të shqyrtimit, çështjet përfundimtare u trajtuan mesatarisht brenda 8 muajve, ndërsa moskalimet përfunduan brenda 3 muajve. Raporti thekson se asnjë çështje nuk ka qenë e tejzgjatur.
Shumica dërrmuese e kërkesave, rreth 97%, u paraqitën nga individë, ndërsa vetëm 3% nga subjekte të tjera si organizata, deputetë, gjykata, Presidenti apo parti politike. Sa i përket natyrës së çështjeve, 75% lidhen me kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të zakonshme, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me kushtetutshmërinë e ligjeve, të drejtat themelore, konfliktet e kompetencave dhe aktet e pushtetit publik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



