Gonxhja: Dhuna dhe zjarri nuk janë protestë, institucionet i përkasin qytetarëve, jo partive

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar përmes një videomesazhi në rrjetet sociale pas ngjarjeve të regjistruara në ditën e dytë të protestave të njoftuara nga studentët, të cilat janë shoqëruar me akte dhune ndaj institucioneve shtetërore dhe pronës private.
Në reagimin e tij, Gonxhja dënoi ashpër sulmet ndaj institucioneve publike dhe theksoi se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike, por nuk mund të shndërrohet në justifikim për dhunë, zjarrvënie apo shkatërrim të pronës.
“Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë. E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive, ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik”, u shpreh ministri.
Gonxhja paralajmëroi se përshkallëzimi i tensioneve dhe aktet e dhunshme nuk ofrojnë zgjidhje për asnjë kauzë, ndërsa i cilësoi përpjekjet për destabilizim si të dëmshme për interesin kombëtar dhe proceset integruese të vendit.
“Vetëgjyqësia, urrejtja dhe kaosi nuk janë as zgjidhje dhe as alternativë. Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në një moment kur Shqipëria ndodhet në një nga etapat më të rëndësishme të progresit të saj demokratik, kombëtar dhe europian”, deklaroi ai.
Ministri u bëri thirrje organizatave studentore, këshillave studentore dhe senateve akademike që të distancohen nga incidentet e dhunshme dhe të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të protestave.
“Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane”, tha Gonxhja.
Ministri theksoi se monumentet, muzetë dhe asetet kulturore duhet të mbrohen nga çdo akt që mund t’i dëmtojë gjatë tubimeve.
“Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë objektet e kulturës, monumentet dhe muzetë. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare”, theksoi ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



