Greqia paralajmëron “izolimin” e Maqedonisë së Veriut për shkak të debatit për emrin

Maqedonia e Veriut | 2 vite më parë

Maqedonia e Veriut do e ketë të vështirë rrugën drejt Bashkimit Europian dhe Athina nuk do i ratifikojë marrëveshjet e bashkëpunimit me Shkupin, ka paralajmëruar kryeministri Kirjakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis).

Shefi i qeverisë greke i bëri deklaratat të mërkurën në vijim të debatit diplomatik që hapi presidentja e sapozgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila është shprehur se nuk i pëlqen të përdorë shtojcën “e Veriut” për emrin e vendit të saj. Çështja e emrit është zgjidhur me kushtetutë nga ana maqedonase pas akordit të Prespës në vitin 2018.

“Në këtë pikë, nuk do i ratifikojmë memorandumet mes nesh. Ratifikimi do i jepte avantazhe Shkupit,” tha z. Micotakis në një intervistë me Open TV.

“Pala tjetër në Maqedoninë e Veriut duhet të pranojë se periudha zgjedhore ka mbaruar. Shkupi është i izoluar, jo Greqia. Besoj se do të përshtaten sipas trysnisë që kanë për të ndeshur,” u shpreh kryeqeveritari grek, ndërsa shtoi se lidershipi i Maqedonisë Veriore “duhet të marrë me seriozitet përgjegjësitë që i takojnë dhe të ndalë manovrat e kota politike.“

“Ne jemi të vendosur që të respektohet Marrëveshja e Prespës,” tha z. Micotakis.

Një ditë më parë u raportua se edhe faqja zyrtare e presidentes Gordana-Siljanovska në krye të saj kishte hequr referencat për emrin e vendit sipas Kushtetutës, duke e zëvendësuar me shkurtimin MK ose thjesht “Maqedonia”.

Edhe në profilin e saj në rrjetin “X”, presidentja maqedonase e përshkruan veten si “Presidente e Maqedonisë, grua, nënë, profesore, aktiviste, eksperte, vegjetariane, rokere”. /Kathimerini 1, 2

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme