Gripi dhe COVID-19 – Elbasani nis vaksinimin, doza mbrojtëse falas në qendrat shëndetësore
Në Elbasan ka nisur fushata e vaksinimit kundër gripit dhe Covid-19 nga Instituti i Shëndetit Publik. Shefja e Shërbimit Epidemiologjik, Evisa Mici, bën me dije se faza e parë ka filluar me personelin shëndetësor dhe po vijon me qytetarët që dëshirojnë të mbrohen nga të dy viruset, pasi aplikimi i dy vaksinave njëkohësisht nuk paraqet asnjë rrezik.
“Si në të gjithë Shqipërinë edhe në Elbasan, fushata e vaksinimit ndaj gripit ka filluar me date 22 shtator dhe i pari që nisi vaksinimin është personeli shëndetësor. Vaksina e gripit mund të aplikohet pa problem që nga grup mosha 6 muaj e lartë”, u shpreh Shefja e Shërbimit Epidemiologjik, Elbasan.
Edhe pse fushata ka nisur prej pak ditësh, interesi ka qenë i lartë, veçanërisht nga kategoritë më të rrezikuara. Aktualisht janë vënë në dispozicion 25 mijë vaksina, prej të cilave mbi 3 mijë janë aplikuar tashmë.
“Duhet të themi se kjo vaksinë nuk ka efekte anësore, dhe mund të aplikohet njëkohësisht me vaksinën e covidit”, tha ajo.
Çdo qytetar mund të paraqitet në qendrën shëndetësore ku banon për të marrë vaksinën që dëshiron.
Gazetar: M. Marashi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




