Gripi në pikun e qarkullimit në vend, autoritetet: Vaksinohuni dhe shmangni urgjencat për vizita rutinë
Infektimet nga gripi dhe virozat në vend janë në pikun e tyre. Intensiteti i qarkullimit po rritet nga java në javë. Autoritetet e shëndetit publik thonë se virusi që po dominon është gripi i tipit A, me nënvariantin AH3N2, nëntipi K, dhe më pak H1N1.
“Pavarësisht se jemi në pikun e qarkullimit të viruseve, jemi ende larg pragut epidemik. Javën që sapo u mbyll janë raportuar 18 500 infeksione respiratore nga qendrat shëndetësore në vend. Grupmoshat më të prekura janë fëmijët 0–14 vjeç, ndërsa këtë javë pati shtim edhe të të rinjve dhe të rriturve nga infektimet”, tha Artan Simaku, epidemiolog, ISHP
Përveç formave agresive, infektimet kanë shkaktuar edhe ndërlikime shëndetësore për shumë pacientë, gjë që ka sjellë rritje të numrit të shtrimeve spitalore. Konkretisht, këtë javë janë shtruar 130 pacientë në Infektiv dhe 6 në Pediatri.
“Shtrimet spitalore kanë ardhur në rritje, por pa e ezauruar kapacitetin e tyre. Pra, është një fluks normal. Kryesisht janë pacientë që kanë kaluar forma të rënda dhe të sëmurë kronikë”, nënvizoi ai.
Duke qenë se 80% e rasteve në urgjencat spitalore janë vizita rutinë, ISHP tërheq vëmendjen që të shmangen pritjet e panevojshme, në dëm të shëndetit të fëmijës.
“Shmangni vizitat në urgjencë dhe kontaktoni mjekun e familjes për vizitat e thjeshta”, apeloi ai.
Vaksinimi mbetet arma më e mirë mbrojtëse, edhe pse ndodhemi në kulmin e infektimeve.
“Për të gjithë ata që nuk janë vaksinuar ende, vaksinimi vlen edhe tani, pavarësisht se jemi në pikun e infektimeve”, tha Simaku.
Autoritetet këshillojnë shmangien e vendgrumbullimeve, larjen e shpeshtë të duarve dhe përdorimin e maskës në qendrat shëndetësore.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




