Gripi sezonal, në Shkodër u vaksinuan 10 mijë e 600 qytetarë
Në Qarkun e Shkodrës janë kryer deri tani 10 mijë e 600 vaksina anti-grip, duke rritur mbrojtjen e qytetarëve ndaj gripit sezonal. Këtë e bëri të ditur kryevaksinatori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Arben Xhabija.
“Që nga 22 shtatori që ka nisur vaksinimi e deri në këto momente janë rreh 10 600 doza, ose rreth 70 % e dozave që kemi marrë. Vaksina është 4-valente dhe mbron nga gripi i tipi A dhe tipi B”, tha Xhabija.
Sipas kryevaksinatorit Xhabija nga rezultatet e deritanishme është evidentuar vetëm virusi i zakonshëm, konkretisht virusi i gripit të tipit A. Deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë rast pozitiv me COVID-19.
“Nga testimet e bëra deri tani qarkullon vetëm gripi tip A, ndërsa për COVID-19 nuk ka rezultuar që të ketë të prekur”, tha ai.
Sipas tij prioriteti i vaksinimit i jepet grupeve më të rrezikuara, personave me sëmundje kronike, individëve me nevoja të veçanta dhe punonjësve në sektorë me rrezik të lartë.
“Prioritet janë kategoritë në risk, të sëmurët kronik dhe personeli shëndetësor, por të gjithë mund të paraqiten në qendrat shëndetësore për të bërë vaksinën”, th ai.
Që nga shtatori i vitit të kaluar janë siguruar 14 mijë doza të vaksinës, të cilat po aplikohen tek qytetarët.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




