Gripi/ “Testimi ndihmon në mjekimin efikas”, ISHP: 1700 analiza të kryera. Qarkullon gripi “A”
Infeksionet respiratore janë rritur ndjeshëm në këtë javë të dytë të janarit dhe kjo duket qartë te numri i vizitave në qendrat shëndetësore, ku kryesisht paraqiten pacientë me simptoma gripi, si edhe në farmaci, ku është shënuar rritje e shitjeve. Gjatë gjithë këtyre ditëve, shumë qytetarë pyesin veten se çfarë duhet të përdorin për t’u rikuperuar sa më shpejt, por mjekët kanë një rekomandim të qartë: testohuni për llojin e virusit nga i cili jeni prekur, pasi në këtë mënyrë barnat antivirale funksionojnë më mirë.
Prej dy vitesh, ISHP kryen analiza të thelluara gjenetike të viruseve respiratore, duke bërë të mundur zbulimin e varianteve në qarkullim që mund të kenë impakt në shëndetin publik.
“Në dhomën ku vendosemi fillimisht kryhet sekuencimi gjenetik, i cili është një metodë sa i përket identifikimit të varianteve në qarkullim për viruset respiratore. Virusi i gripit pëson mutacione dhe këto ndryshime janë të shpeshta. Pikërisht kjo shpeshtësi ndryshimesh bën që virusi të shfaqet me klinikë më të ashpër. Me anë të kësaj teknike, kuptojmë se cilat janë variantet shqetësuese në qarkullim apo variantet që paraqesin interes në lidhje me trajtimin e pacientëve në spital,” shprehet Iris Hasibra, koordinatore e survejancës laboratorike të viruseve respiratore pranë laboratorit të virologjisë në ISHP.
Përveç metodës Real Time PCR, ISHP zotëron edhe teknikën molekulare të identifikimit të shpejtë të viruseve respiratore, si virusi sincicial, SARS-CoV-2 dhe gripi, brenda 45 minutave.
Testet për gripin dhe viruset e tjera respiratore kryhen pranë mjekut të familjes, i cili, duke vlerësuar simptomat, referon rastin për testim. ISHP deklaron se që nga 1 tetori 2025 janë analizuar rreth 1700 mostra, ku janë identifikuar raste të gripit tip A me nën-tipe H1N1 dhe H3N2.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




