Hezitimi ndaj vaksinës së fruthit rritet, mjekët: Prindërit kërkojnë garanci me firmë për efektet anësore
Shqetësimi i prindërve ndaj vaksinës së fruthit instalohet sapo fëmija vjen në jetë dhe transmetohet që në vizitën e parë te mjeku.
Në Kombinat, një zonë me shtrirje të madhe territoriale, mbulimi vaksinal i MMR-së me dozën e parë në moshën 12 muajsh ka shënuar rënie gjatë 5 viteve të fundit, me tendencën për ta shtyrë në kohë.
“Ka rënë. Nga 94 për qind që e kemi pasur para 5 vitesh, ka rënë në 75 për qind doza e parë. Kur fëmija bëhet 1 vjeç, prindërit duan ta shtyjnë”, u shpreh Luljeta Qosja, pediatre, QSH 6.
Hezitimi është shtuar ndjeshëm pas pandemisë, ku ndikim pati edhe vaksinimi ndaj COVID-19, ndërsa perceptimet vijojnë të jenë të lidhura me autizmin.
“Sepse lexojnë dhe kanë të afërmit e tyre në shtete të ndryshme dhe ata kanë një kalendar tjetër vaksinimi. Një pjesë kanë hallin e të folurës. Dua ta bëj të qartë që vaksina e fruthit, ashtu si të gjitha të tjerat që kemi në skemën e vaksinimit, janë të testuara prej dekadash”, nënvizoi ajo.
Ata që refuzojnë janë kryesisht prindërit e besimit mysliman, ndërsa në pjesën tjetër të popullatës, më hezitues janë ata më të arsimuarit.
Për aplikimin e kësaj vaksine, mjekët shpesh duhet të luajnë edhe rolin e psikologut me prindërit.
“Është shumë e lodhshme, sepse na thonë: ‘Hidhe firmën që nuk i ndodh asgjë fëmijës’. U them se të gjithë fëmijët që kemi ndjekur nuk kemi parë asnjë dëmtim”, shtoi ajo.
Fruthi është një infeksion viral respirator shumë ngjitës. Për çdo person që ka fruth, infektohen 12 deri në 18 persona të tjerë. Kjo e bën fruthin rreth 12 herë më ngjitës se gripi.1 në 20 fëmijë me fruth shfaq pneumoni, e cila është shkaku më i shpeshtë i vdekjes te fëmijët. 1 në 1 000 fëmijë zhvillon encefalit, që mund të shkaktojë konvulsione dhe mund të çojë në vdekje ose paaftësi intelektuale të mëvonshme.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




