“HIV në rritje rekord në rajon”, Dr. Shapo: Duhen më shumë testime. Ja si të mbrohemi nga variantet e reja të COVID-19
Infeksioni seksualisht i transmetueshëm, HIV, po shfaqet gjithnjë e më aktiv në rajoni e Ballkanit, por dhe në Shqipëri, duke u kthyer në një problem madhor për shëndetin publik.
Mjeku Leidon Shapo, specialist i shëndetit publik nga Londra, deklaroi në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH se ende pa u mbyllur viti, rastet e reja të HIV-it kanë kapërcyer nivelet e viteve të mëparshme.
Sipas tij, rastet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme kanë qenë në një nivel të qëndrueshëm ndër vite, por tani po shënojnë një rritje të konsiderueshme.
Rritje në gjithë rajonin
Mjeku Shapo theksoi se infeksioni HIV po shfaqet me një tendencë në rritje në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, duke ngritur shqetësime për shëndetin publik. Sipas tij, prevalenca në rajon ka lëvizur ndër vite nga 0.1% deri në 1%, vlera relativisht të ulëta krahasuar me vendet e tjera, por që kërkojnë vëmendje të shtuar.
“Bëhet fjalë jo thjesht për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit, i cili prej disa vitesh varion me valenca 0.1 deri në 1%. Këto janë vlera të ulëta krahasuar me vendet e tjera, por ajo që duhet theksuar është se pas një periudhe rastesh, kemi pasur 5 raste të reja për 100 mijë në Shqipëri. Është vënë re që kemi rreth 113 raste të reja në 2023 dhe 119 raste të reja për 2024. Pra, ka një rritje të lehtë dhe si gjithmonë duhet të kemi parasysh që në ndjekjen që bëjmë këto në linjën infektive, këto nuk kapin majën dhe fundin. Këtu bëhet fjalë për një virus të imunodeficencës njerëzore (HIV), i cili nëse nuk kapet në kohën e duhur dhe nuk trajtohet, shkon më pas në AIDS, që është më e vështirë të trajtohet. Është një virus që godet sistemin imunitar dhe i merr jetë pacientit, dhe kjo duhet kuptuar shumë mirë jo vetëm nga grupet e riskut, por edhe atje ku mund të kalojë infeksioni.”
Për ta konkretizuar më tej, Dr. Shapo tha se nga viti 2013 deri në vitin 2023 janë regjistruar 1,716 raste në total, ndërkohë që në dy vitet e fundit, veçanërisht në vitin e fundit, ka pasur një rritje të dukshme.
Shkaqet dhe nevoja për testim
Sipas mjekut, kësaj rritjeje duhet t’i gjendet shkaku. “Një nga shkaqet është mungesa e testimeve, diagnostikimi me vonesë,” u shpreh ai.
Eksperti i shëndetit publik në Londër theksoi se një rol të rëndësishëm në këtë situatë ka edhe mjeku i familjes, i cili duhet të referojë një person për testim bazuar në rreziqet individuale.
“Është një trend në rritje dhe duhet të vihet në alarm,” tha Dr. Shapo.
Pasi, sipas tij, “për të gjitha grupet e riskut duhen të merren masa dhe të testohen në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm kështu e kuptojmë më mirë se kemi të bëjmë me 119 raste të reja për vitin që shkoi, pra kemi të bëjmë me një nivel 5 në 100 mijë, ka shkuar 7 apo 8 në 100 mijë. Këto janë indicie të cilat tregojnë trendin dhe se ku jemi në momentin që flasim. Vetëm testimi në popullatë na jep të drejtën dhe mund të kuptojmë realisht se ku jemi dhe çfarë po ndodh.”
COVID-19 dhe nënvariantet e reja
Duke folur për situatën e COVID-19, Dr. Shapo tha se dy nënvariantet e reja, Nimbus dhe Stratus, janë tashmë të pranishme.
“Personat që nuk janë vaksinuar prej kohësh ose nuk kanë rënë në kontakt me këto variante, nuk kanë më kujtesë mbrojtëse,” tha ai.
“Kujtesa imunitare nuk mban më shumë se një vit dhe kjo është parë tashmë. Puna është që duhet ta kalojmë sa më butë dhe pa përfunduar në spital, dhe është vënë re që ata që ishin vaksinuar me vaksinën mbivalente, u pa që kishin 45% më shumë shanse për të mos përfunduar në spital, pra për ta kaluar sa më lehtë në shtëpi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




