Hoxha raporton për situatën në Lindjen e Mesme: 17 shqiptarë të evakuuar nga rajoni, nuk kemi mbyllur asnjë përfaqësi diplomatike

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, raportoi në Komisionin për Punët e Jashtme mbi situatën në Lindjen e Mesme, pas tensioneve të krijuara nga sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit.
Hoxha tha se prioriteti kryesor i institucioneve shqiptare ka qenë siguria e qytetarëve shqiptarë në rajon. Sipas tij, që nga nisja e krizës është ngritur një shtab i posaçëm, i cili ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike në vendet e rajonit.
Hoxha bëri të ditur se deri më tani 17 shtetas shqiptarë janë evakuuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Në radhë të parë në qendër të vëmendjes sonë ka qenë situata e qytetarëve shqiptarë. Qëkur ka filluar kriza kemi ngritur një Shtab të Posaçëm që në bashkëpunim me MEPJ dhe ka bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë, të pandërprerë në kontakt me përfaqësitë diplomatike jo vetëm me vendet e prekura, por edhe përreth për të ndjekur ecurinë e situatës, përshkallëzimin, implikimin për shoqërinë dhe qytetarët tanë. Në fillim të konfliktit ne kemi pasur 2962 shqiptarë në rajon. Këta janë me qëndrim të përhershëm. 543 me qëndrim të përkohshëm. të kontaktuar 2511. Të interesuar për tu larguar janë 138, ndërsa 17 shtetas janë evakuuar në bashkëpunim me partnerët. Vështirësia më e madhe ka qenë në Iran që ka pasur shqiptarë, por nuk jemi të pranishëm atje, por na është dashur të gjejmë modalitet. Kemi qenë në marrëdhënie me kryqin e kuq dhe ekuivalentin e tij Gjysmëhënën e Kuqe e kuqe që t’i ofrohet ndihmë ndaj shqiptarëve dhe nxjerrin nga territori i Iranit”, tha Hoxha.
Ministri theksoi se, ndryshe nga disa vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë nga përfaqësitë e saj diplomatike në vendet e prekura. Ai shtoi se vështirësitë më të mëdha janë hasur në Iran, ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike, duke bërë të nevojshëm bashkëpunimin me Kryqin e Kuq dhe Gjysmëhënën e Kuqe për të ndihmuar shqiptarët dhe për t’i nxjerrë nga territori iranian.
“Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria s’ka mbyllur asnjë nga përfaqësitë diplomatike në vendet e prekura. Ka qenë shumë e rëndësishme që ne të kishim njerëzit tanë atje në mënyrë të vazhdueshme dhe kontakt të vazhdueshëm. Kemi bërë regjistrimin e gjithkujt që ka aplikuar për ndihmë. Ia kemi dalë në masë shumë të madhe. Kemi komunikuar në forma nga më të ndryshmet, i kemi ndarë me kategori për të pasur një pasqyrë të qartë nëse do të na duhej të merrnim masa të veçanta”, tha Hoxha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



