Ministri Hoxha bisedë me homologun kroat: Forcim i ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike përmes projekteve rajonale

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Gordan Grlić-Radman, ku u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe projektet rajonale në fushën e energjisë dhe sigurisë.
Në një postim në platformën X, Hoxha e cilësoi telefonatën si “të frytshme dhe produktive”, duke theksuar se gjatë saj u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneriteti i fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Telefonata e parë e frytshme dhe produktive me homologun tim kroat, Gordan Grlić-Radman, gjatë së cilës rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë. Theksuam rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në sektorë kyç, përfshirë ekonominë, energjinë, mbrojtjen dhe turizmin,” shkroi Hoxha.
Ai shtoi se vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike përmes projekteve madhore rajonale, si Korridori Adriatiko-Jonian, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe zgjerimi i tij me Gazsjellësin Joniano-Adriatik, si dhe mbi Iniciativën e Tre Deteve, të cilat i cilësoi si “shtylla të rëndësishme për rritjen dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore”.
Ministri Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës u shkëmbyen pikëpamje mbi sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, duke nënvizuar përgjegjësinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kroacisë si aleatë në NATO për të kontribuar në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive.
“Si partnerë të afërt, mbetemi të përkushtuar fort për avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe një të ardhmeje të përbashkët evropiane për rajonin,” përfundoi Hoxha në mesazhin e tij.
First useful and productive call with my Croatian counterpart, Gordan Grlić-Radman @grlicradman, reaffirming the excellent relations and strong strategic partnership between #Albania 🇦🇱and #Croatia 🇭🇷
— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) March 20, 2026
We underscored the importance of further deepening bilateral cooperation… pic.twitter.com/lEYepOcxOJ
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



