Humbja e jetës së pacientes M.K., MSHMS: Kemi kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar zyrtarisht pas ndarjes nga jeta të pacientes me iniciale M.K., duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve për humbjen e rëndë.
Përmes një deklarate për mediat, ministria bëri me dije se “po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti”.
Me qëllim garantimin e një hetimi profesional dhe të paanshëm, autoritetet kanë kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë e të pavarur për të gjithë zinxhirin e kujdesit shëndetësor të ofruar, që nga momenti i paraqitjes së pacientes në spital e deri në përfundimin e trajtimit të saj.
“Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.”, theksohet në njoftimin për shtyp.
Transparenca dhe masat ligjore
Ministria e Shëndetësisë nënvizon se mbetet e angazhuar për të siguruar transparencë të plotë mbi rrethanat e ngjarjes. Sipas deklaratës zyrtare, “çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.”
Autoritetet shëndetësore theksojnë se “siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




