I akuzuar për vrasje, trafik droge e grup të strukturuar kriminal, Durim Bami pritet të ekstradohet nga Dubai

Durim Bami, një emër i njohur për drejtësinë, pritet të ekstradohet këtë të enjte nga Dubai. Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, Bami do të ekstradohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri.
Bami, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, do të përballet me akuzat për vepra të rënda penale, përfshirë “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Durim Bami, 47 vjeç, nga Nikël i Krujës, është një figurë e njohur për drejtësinë shqiptare për lidhjet e tij me grupe kriminale të njohura dhe përfshirjen e tij në atentate të rënda. Ai është dyshuar për një tentativë vrasjeje në vitin 2004 dhe ka pasur lidhje me disa vrasje të dyshimta, përfshirë vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K., si dhe për takimin e fundit me Enver Stafukën, i cili është gjithashtu një personazh i njohur i lidhur me krimin.

Bami është gjithashtu i dyshuar për të qenë pjesë e organizatave kriminale që ishin në hetim për tentativë vrasjeje ndaj ish-deputetit Arben Ndoka, për të cilin ai organizoi sigurimin e informacionit dhe koordinimin për vrasjen. Po ashtu, ai ka qenë i përfshirë në aktivitetin e kultivimit të kanabisit në zonat e Niklës dhe Bubqit, dhe akuzohet për pjesëmarrjen në trafikimin e lëndëve narkotike.
Bami ishte shpallur në kërkim dhe ndaj tij u vendos masa “arrest në burg” përfshirë akuzat për veprime penale që lidhen me organizatat kriminale dhe aktivitete të paligjshme, si dhe për veprat e tij lidhur me vrasjet dhe tentativat për vrasje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




