Infermierja me 40 vite punë këshillë të rinjve: Duhet ta vini dorën në zemër kur prekni një shiringë
Në Ditën Botërore të Infermierisë, vëmendja rikthehet tek ata që prej dekadash janë në vijën e parë të kujdesit për pacientët. Infermierët mbeten një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor.
Shyrete Heqimi, me 40 vite eksperiencë si infermiere, ndan kujtimet, sfidat dhe emocionet e një rruge të gjatë profesionale në shërbim të njerëzve.
“Punën e kam filluar në moshën 20-vjeçare. Pesë vitet e para kam punuar në repartin e reanimacionit të pediatrisë. Vështirësia më e madhe ka qenë që nuk kemi arritur asnjëherë të merremi me kapacitetin e plotë të repartit, dhe kjo ka qenë pika më delikate për ne. Në atë kohë, kam gjetur 500 shtretër në pediatri, ndërsa kapaciteti i një reparti ka qenë 100. 75 prej tyre i kam përgatitur me duart e mia si terapi”, tha ajo.
Në këtë ditë simbolike ajo ka edhe një mesazh për brezin e ri që zgjedh profesionin e infermierit.
“Është një profesion shumë human, që kërkon shumë përkushtim, por duhet bërë me zemër. Nuk është një zanat që mund të thuash “e bëj”, por kërkon një thirrje të brendshme për të vazhduar këtë rrugë. Duhet të kesh gjithmonë dorën në zemër kur prek shiringat, serumet dhe gjithçka tjetër që lidhet me kujdesin ndaj pacientit’, tha ajo.
Përvoja e gjatë e infermierëve me dekada shërbimi mbetet një dëshmi e përkushtimit dhe humanizmit në këtë profesion.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





