Inspektimi te Posta Nr. 5, Karakaçi dhe Xhafaj garantojnë vijueshmërinë e shërbimeve dhe zgjerimin e ofertës financiare

Aktualitet | 45 minuta më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, kreu një inspektim pranë Postës Nr. 5, zyrës kryesore postare në kryeqytet, për të parë nga afër ecurinë e punës dhe përballimin e fluksit të qytetarëve gjatë kësaj periudhe.

Gjatë takimit me punonjësit, Ministri Karakaçi shprehu mirënjohjen për përkushtimin e stafit në garantimin e shërbimeve bazë për qytetarët, veçanërisht gjatë ditëve me ngarkesë të shtuar.

“E di që kanë qenë edhe pak ditë jo krejt normale dhe e di që shërbimi i Postës ka vazhduar normalisht. Ju keni eksperiencë, po e pamë edhe këtë lloj situate. Pavarësisht ndoshta një orari të reduktuar në një kohë të caktuar, puna dhe misioni ka vazhduar”, u shpreh Karakaçi.

Ministri nëvizoi se impakti kryesor te qytetarët mbetet marrja e pensioneve, pagesat e faturave, gjobave, energjisë elektrike, si dhe procedurat me Kadastrën e Tatimet, të cilat gjatë muajit tetor regjistrojnë një fluks më të lartë se zakonshmit.

“Vizita ime është për t’ju thënë të gjitha zonjave dhe grave që punojnë këtu faleminderit edhe për përkushtimin që bëjnë çdo ditë të vitit. Është shumë e rëndësishme të jepet mesazhi që shërbimet vazhdojnë, nuk ndalojnë”, tha ai.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, bëri me dije se rrjeti postar po zgjeron partneritetet strategjike. Sa i përket tregtisë elektronike, Xhafaj deklaroi se “shumë shpejt firmosim edhe kontratën me shpërndarjen e tregtisë elektronike, pra pakove që vijnë kryesisht nga Kina, atë marrëveshje që kemi me Postën Italiane”.

Lidhur me ecurinë e punës në sportele gjatë javës së kaluar, Xhafaj sqaroi dinamikën e lëvizjes së qytetarëve: “Kemi pasur një rënie javën e kaluar me diku tek 30% të veprimeve normale, por kemi patur dhe një rritje, duke qenë se shumica e filialeve që janë këtu rrotull qendrës të bankave nuk kanë qenë të hapura kanë ardhur dhe i kanë kryer ato shërbime pranë sporteleve të Postës Shqiptare”.

Në mbyllje u prezantuan edhe planet për fushën e filatelisë, ku gjatë vitit 2026 parashikohen 12 emisione të plota, përfshirë edicione të përbashkëta me Postën e Vatikanit dhe me Republikën e Italisë për me rastin e 80-vjetorit të saj, si dhe parapërgatitjet për vitin 2027.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme