Inteligjenca artificiale në shëndetësi, ministrja Sala: Prioritet, digjitalizimi i plotë i sistemit shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka folur për futjen e Inteligjencës Artificiale në sistemin shëndetësor, ku sipas saj, digjitalizimi i plotë do të sjellë shërbime më cilësore dhe bashkëkohore.
Ministrja Sala, e cila ishte e pranishme në samitin dyditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, organizuar në Londër nga “The economist”, u shpreh se shëndetësia globale po hyn në një fazë të re, ku teknologjitë e avancuara do të lejojnë kalimin nga diagnostika tradicionale në një nivel të ri të ashtuquajtur “super-diagnostikë”.
Duke sjellë eksperiencën e saj akademike në fushën e imazherisë onkologjike në nivel ndërkombëtar, ministrja Sala nënvizoi se Inteligjenca Artificiale do të udhëheqë revolucionin në shëndetësi, ndërsa paraqiti vizionin e qeverisë shqiptare në digjitalizimin e plotë në shëndetësi, si pararendës të përdorimit të inteligjencës artificiale në diagnostikim e përparuar.
“Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë të padukshme teknologjike, qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri – IA, ku është në qendër kujdesi ndaj pacientit”, u shpreh ajo.
Në panelin dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në praktikën klinike, krah emrave të njohur ndërkombëtarë, ministrja Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të IA për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, përfshirë automatizimin e detyrave të përsëritura, optimizmin e planifikimeve, gjenerimin automatik të raporteve dhe përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.
Në samit morën pjesë 300 pjesëmarrës e 60 folës nga e gjithë bota, ku u paraqitën njohuri ekskluzive dhe studime rastesh nga politikëbërës, përfaqësues të teknologjisë mjekësore, akademikë, organizata që punojnë për të arritur potencialin maksimal të IA-së në shëndetësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




