Investimi në Zvërnec, Balla: Dëm i madh ekonomik nëse i thua jo. Do garantohet mbrojtja e mjedisit

Politikë | 1 orë më parë

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla foli për takimin me kryetarin e Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve, investimet gjermane në Shqipëri dhe reforma në drejtësi.

Investimi në Zvërnec ka qenë një nga çështjet e diskutuara, ku Balla tha se gjatë takimit janë dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me garancitë që shoqërojnë projektin, duke theksuar se investimet e kësaj natyre kanë rëndësi strategjike për Shqipërinë.

“Besoj i kemi sqaruar si duhet lidhur me disa garanci. Garancia e parë është që investimet e kësaj natyre në vendin tonë janë të natyrës strategjike dhe duhen mbrojtur”, deklaroi Balla.

Ai theksoi rëndësinë e investimit në Zvërnec jo vetëm për vlerën e tij financiare, por edhe për ndikimin që mund të ketë në zhvillimin e turizmit.

“Investimi në Zvërnec, jo vetëm nga vlera, por edhe nga rëndësia përsa i përket turizmit, është e pamundur t’i thuash jo. Është dëm i madh për ekonominë. Faza e parë lidhet me blerjen e terrenit dhe pastaj do të vijnë edhe fazat e tjera”, tha ai.

Balla nënvizoi gjithashtu se institucionet shqiptare do të kenë përgjegjësinë për të garantuar respektimin e standardeve mjedisore dhe të direktivave të Bashkimit Europian.

“Qeveria shqiptare dhe agjencitë shqiptare të përfshira në këtë proces do të angazhohen që të garantojnë mbrojtjen e mjedisit, lidhur edhe me direktivat e BE-së”, deklaroi Balla.

Ai foli edhe për propozimin e PD lidhur me reformën territoriale, ndërsa shtoi se opozita duhet të vijojë konsultimin e propozimit të saj me bashkitë e vendit.

Balla nuk dha një përgjigje nëse Partia Socialiste do ta votojë propozimin e PD-së më 8 tetor, por shtoi se vendimi për qëndrimin e socialistëve do të varet nga puna e Komisionit të Ligjeve

“Komisioni i Ligjeve po bën një punë të shkëlqyer. Përshëndes faktin që PD-ja ka kuptuar që në demokraci konkurrohet me propozime. Ka ardhur një propozim. Në ligj përcaktohet që çdo lloj drafti që vjen për ndryshime në hartën administrative-territoriale duhet t’u shkojë këshillave bashkiakë. Në vlerësimin tim, para se t’i bashkohet procedurës parlamentare, duhet t’i bashkohet të njëjtit proces. Nuk është faji im që këta të shkretët janë gjithnjë të vonuar. Në rastin tonë, procedura parlamentare i ka plotësuar të gjitha afatet”, u shpreh ai.

Balla theksoi se nëse Komisioni i Ligjeve e përfundon shqyrtimin e draftit, atëherë ai mund të kalojë për votim në seancë plenare, sipas kalendarit të Kuvendit.

“Nëse Komisioni do ta mbyllë, kalendari i Kuvendit parashikon datën 8”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme