Ish-ministrja e brendshme Gordana Jankulloska lirohet nga burgu

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Ish-Ministrja e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Gordana Jankullovska doli të mërkuren nga burgu, pas tre vjet vuajtje të dënimit. Ajo qe dënuar fillimisht me gjashtë vjet burg pas akuzash që e ngarkonin lidhur me blerjen e paligjshme të një autoveture Mercedes me vlerë prej mbi 500 mijë eurosh për nevojat e ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski. Por, dënimi më pas iu ul në katër vjet heqje lirie.

Gjykata e Apelit në Shkup vendosi që ta lirojë me kusht ish-ministren; Ajo do të kthehej për të vazhduar dënimin nëse deri në tetorin e vitit të ardhshëm kryen një vepër tjetër penale.

Megjithatë, ka një proces tjetër gjyqësor kundër saj lidhur me çështjen e përgjimit të paligjshëm dhe shkatërrimin e pajisjeve për përgjim. Por, ka gjasa, sipas ekspertëve ligjorë, që ajo të lirohet edhe nga këto akuza pas lehtësimeve që parashikon Kodi i ri Penal për bartësit e funksioneve që kanë shpërdoruar detyrën.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës pranë Shkupit, Gordana Jankullovska kishte shërbyer në bibliotekën e burgut në pavijonin e grave, ndërsa është marrë parasysh fakti se ajo është nënë e një fëmije pesë vjeç i cili “ishte privuar nga kujdesi amënor”, por dhe sjellja e saj shembullore gjatë vuajtjes së dënimit, sipas autoriteteve.

/rtsh.al/ 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme