Janari, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës. Ministria e Shëndetësisë zgjeron programin e depistimit, përfshihen gratë 35–55 vjeç

Shëndet | 9 muaj më parë

Janari shënon Muajin e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Qafës së Mitrës, një sëmundje që mund të parandalohet pothuajse plotësisht përmes depistimit të rregullt. Në kuadër të kësaj nisme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar zgjerimin e programit kombëtar të depistimit për kancerin e qafës së mitrës duke nisur nga viti 2026.

Sipas vendimit të ri, programi do të përfshijë gratë e grupmoshës 35–55 vjeç, duke zgjeruar kështu fashën e përfituesve. Ky hap synon rritjen e ndërgjegjësimit, përfshirjen më të gjerë të grave në depistim, diagnostikimin e hershëm të sëmundjes dhe uljen e rrezikut afatgjatë të kancerit të qafës së mitrës.

Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet kryesisht nga infeksioni me HPV (Human Papillomavirus). Për këtë arsye, depistimi konsiston në identifikimin e pranisë së këtij virusi përmes marrjes së një sasie qelizash nga sipërfaqja e qafës së mitrës, të cilat analizohen në laborator.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se depistimi i rregullt shpëton jetë. Qytetaret ftohen të komunikojnë me mjekun e tyre të familjes pranë qendrës shëndetësore përkatëse për aplikimin e këtij testi falas në kuadër të programit kombëtar.

Ministria apelon për ndërgjegjësim dhe kujdes të vazhdueshëm, duke theksuar se parandalimi dhe zbulimi i hershëm mbeten armët më të forta kundër kësaj sëmundjeje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme