Junior Eurovision 2026, Eslin Kurti mes emocioneve dhe përgatitjeve
Përfaqësuesja e Shqipërisë në Junior Eurovision 2026, Eslin Kurti, vijon përgatitjet intensive për skenën evropiane, ku do të prezantohet me këngën “Kërce me mua”, një këngë që përcjell ngjyra, ritëm dhe pozitivitet, duke sjellë energjinë dhe shpirtin e fëmijëve shqiptarë.
Përkushtimi, emocionet dhe puna e vazhdueshme me ekipin artistik janë pjesë e këtij rrugëtimi, ku çdo detaj merr rëndësi të veçantë, nga interpretimi vokal te prezenca skenike. Çdo provë është një mundësi për të fituar më shumë siguri, për të përsosur performancën dhe për t’u përgatitur për momentin e shumëpritur të ngjitjes në skenën e Junior Eurovision.
Eslin Kurti siguroi përfaqësimin e Shqipërisë në këtë kompeticion pasi u shpall fituese e kategorisë Junior në Festivalin e 64-t Kombëtar për Fëmijë, me këngën “Kërce me mua”. Tashmë, sfida e radhës është skena ndërkombëtare, ku ajo do të synojë të përcjellë talentin, emocionin dhe energjinë e saj përmes muzikës. Junior Eurovision 2026 do të mbahet më 24 tetor në Maltë, ndërsa publiku do të ketë mundësinë të mbështesë artistët e preferuar përmes platformës zyrtare të votimit, JESC.TV.
Votimi do të nisë më 23 tetor, në orën 23:59, dhe do të jetë pa pagesë për shikuesit nga e gjithë bota. Pjesëmarrësit do të mund të ndjekin përmbledhjen e performancave konkurruese dhe të përzgjedhin tri këngët e tyre të preferuara.
Sipas rregullave të këtij viti, publiku mund të votojë edhe për përfaqësuesin e vendit të vet. Një rrugëtim i mbushur me punë, emocione dhe pritshmëri, ku Eslin Kurti përfaqëson Shqipërinë me këngën “Kërce me mua”, duke synuar të sjellë në skenën evropiane jo vetëm talentin e saj, por edhe ritmin, gëzimin dhe energjinë e muzikës shqiptare.
Për publikun shqiptar, kjo ngjarje muzikore do të transmetohet drejtpërdrejte nga Radio Televizioni Shqiptar, më 24 tetor, në orën 21:00, në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




