Juventusi në ‘ferr’, skuadër pa yje dhe pa lojë! Spalletti s’është më, ka frikë nga kundërshtarët

Humbja turpëruese në shtëpi, 0-3 ndaj Lazio-s, ka bërë që shtypi sportive italian të shpërthejë ndaj Juventusit. “Skuadër për t’u bërë nga e para, pa yje dhe pa lojë”, “Juventusi një thes bosh, Spalletti tani ka frikë nga kundërshtarët”, janë dy nga titujt kryesorë në lidhje me krizën e skuadrës bardhezi.
Juventusi mban vendin e 8-të aktualisht. Ndeshja me Lazio-n ishte sërish fatale për këtë skuadër, ndërsa trajneri Luciano Spalletti është në diskutim pas humbjes 0-3. Juventusi i tij është shkërmoqur. Nuk bën lojë, nuk ka ide dhe mbi të gjitha nuk ka kampionë në grup. Nuk ka një lojtar që, për shembull, të imagjinohet titullar tek Interi.
Kush ka faj? Lojtarët, patjetër. Spalletti, natyrisht. Por edhe ai që ka ndërtuar një skuadër plot me fantazistë (presupozohet të jenë të tillë) anësorë si, Conceicao, Alajbegovic, Zhegrova, Nico Gonzalez. Nuk ka një qendërsulmues të madh dhe një regjisor.
Humbja e thellë me Lazio-n ka treguar sërish limitet e “Zonjës së Vjetër”. Nuk shpëton askush nga lojtarët që zbritën në fushën në “Stadium”. Mungesa e Yildiz nuk është justifikim. Edhe trajneri Spalletti nuk është më. Ai që shpikte diçka dhe kishte kurajë, tani ka frikë nga kundërshtarët. Edhe i shumëkritikuari Thiago Motta në këtë pikë të kampionatit kishte bërë më mirë: 13 pikë, 2 më shumë.
Juventusi është i ngadaltë dhe pa ide. “A më ndjek skuadra? Deri dje thosha ‘po’, tani nuk e di”, – është shprehur trajneri i Juventusit pas ndeshjes me Lazio-n. Kuptohet qartë se edhe ai nuk ka më besim te skuadra.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




