Kamer Qaka te Shkëndija: Serioziteti i klubit më bëri të pranoj

Shkëndija e Tetovës ka bërë goditjen surprizë në merkato, duke firmosur me mesfushorin kuqezi, Kamer Qaka. Gjithçka është konfirmuar nga vetë klubi që merr pjesë në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, i cili i ka ofruar mesfushorit një kontratë për 2 vite e gjysmë. 25 vjeçari, i lindur në Pejë, e ka ndërtuar karrierën e tij futbollistike në Norvegji, ndërsa në Tetovë vjen nga kampionati rumun.
“Është shumë ndjenjë e mirë të jem pjesë e Shkëndijës. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për këtë klub, se është skuadër serioze. Mezi pres të luaj për ekipin për të treguar edhe potencialin tim”.
“E dij se Shkëndija është shumë e fortë në kampionat aq sa kam pa unë, por edhe në Europë kam ndjek disa ndeshje shumë të mira dhe janë përballur me skuadra të njohura. Shpresoj që edhe unë do të mund të ndihmoj skuadrën për të arritur edhe më shumë”.
“Kam dëgjuar se Shkëndija luan futboll shumë ofensiv, ashtu si kam qejf edhe unë me dalë përpara gjithmonë. Serioziteti i klubit më bëri të pranoj ofertën”.
“Mendoj se më me rëndësi është të paraqitem mirë për klubin, pastaj të shikojmë. Gjithë futbollistët duan të luajnë për kombëtaren, jam shqiptar dhe gjëja më e madhe është të luaj për kombëtaren”.
“Nuk kam qejf të flas shumë për veten, më shumë dua të flas në fushë. Shpresoj përfundon kjo puna e pandemisë, të kthehen ‘Ballistët’ të na shohin dhe të na përkrahin dhe besoj se bashkë do të ecim mirë”, u shpreh Kamer Qaka në prononcimin e tij të parë si futbollist i Shkëndijës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




