Kanalet franceze ngatërrojnë protestat në Tiranë me ato në Paris e Lion

Dy kanale televizive franceze, CNEWS dhe Franceinfo, kanë kërkuar falje pasi transmetuan pamje nga protestat në Tiranë, duke i paraqitur gabimisht si demonstrata në Paris dhe Lion.
Ngatërresa e parë ndodhi të shtunën, kur CNEWS shfaqi pamje të protestuesve në një rrugë të Tiranës, duke i identifikuar si pjesëmarrës në një demonstratë në zonën Porte d’Italie të Parisit.
Pamjet tregonin protestues të mbledhur në rrugë, disa prej të cilëve kishin mbuluar fytyrat me maska dhe syze skijimi. Gjatë transmetimit, një komentator i përshkroi ata si persona që mund të shkaktonin trazira, duke krijuar përshtypjen se situata në kryeqytetin francez mund të përshkallëzohej.
Sipas verifikimit të Associated Press (AP), pamjet ishin filmuar në Rrugën e Durrësit, në qendër të Tiranës.
Pas konstatimit të gabimit, prezantuesi i CNEWS, Olivier Benkemoun, kërkoi falje në transmetim, duke shpjeguar se redaksia kishte ngatërruar pamjet e marra nga burime të ndryshme video.
“Bëmë një gabim në dhomën e kontrollit”, u shpreh ai, duke sqaruar se pamjet e protestuesve me fytyra të mbuluara vinin nga Shqipëria dhe jo nga Parisi.
Gabimi u kritikua edhe nga figura politike franceze. Kandidati presidencial i së majtës, Jean-Luc Mélenchon, reagoi në rrjetin social X, duke vënë në dukje se pamjet nga Shqipëria ishin paraqitur si transmetim i drejtpërdrejtë nga Parisi.
Një tjetër gabim ndodhi në transmetimin e televizionit publik Franceinfo. Kanali shfaqi pamje të forcave të policisë me pajisje speciale dhe automjete që përdornin topa uji, duke pretenduar fillimisht se ato vinin drejtpërdrejt nga Lioni.
Në të vërtetë, pamjet ishin regjistruar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, siç verifikoi Associated Press.
Vetëm tre minuta më vonë, prezantuesi i Franceinfo korrigjoi informacionin, duke pranuar se pamjet nuk ishin nga Lioni, por nga kryeqyteti shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




