Kanceri i gjirit – 805 raste të reja në 2024, ISHP apel për kontrolle dhe zbulim të hershëm të sëmundjes

Shëndet | 1 vit më parë

805 gra dhe vajza u diagnostikuan me kancer në gji gjatë vitit që lamë pas duke shënuar kështu një rritje me 61 raste më shumë se viti 2023.

Drejtoresha e sapoemëruar e Institutit të shëndetit Publik, Dorina Toci, tha se jemi vend me incidencë të ulët krahasuar me Europën dhe se rritja ka si shkak ndërgjegjësimin për kontrolle.

“Për vitin 2024, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Kancerit janë diagnostifikuar 805 raste të reja me kancer të gjirit. Është një incidencë që gjatë 10-vjeçarit të fundit ka ardhur gradualisht në rritje dhe është rritur mesaterisht 2.1 për qind çdo vit. Në fakt kjo edhe falë ndërgjegjësimit, nuk kemi rritje të moshave të kancerit të gjirit te moshat e reja, madje kemi një ulje të lehtë të incidencës së kancerit tek moshat nën 50 vjeç dhe rreziku rritet më moshën. Grupmosha që është më e rrezikuar për kancerin e gjirit është 50-70 vjeç”, tha Toci.

Për fat të keq pavarësisht fushatave në rritje, ka ende gra që sëmundjen e kapin vonë duke mos arritur dot të fitojnë luftën me të ndërsa shtrimet spitalore janë dyfishuar.

“Në vitin 2024 kanë ndërruar jetë 224 gra”, deklaroi ajo.

Falë mamografive të stacionuara dhe atyre të lëvizshme arrijnë të kontrollohen 25 mijë gra në vit ku 50 dedektohen me kancer. ISHP kujton se ku duhet të drejtohen gratë.

“Mund ta marrin këtë shërbim në spitalet rajonale të vendit, në poliklinikat dhe në Tiranë pranë poliklinikës qendrore, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, tha Drejtoresha e sapoemëruar e Institutit të shëndetit Publik.

Në buletinin e fundit ISHP thekson se një studim i kryer gjatë Tetorit Rozë vitin e shkuar,  një pjesë e konsiderueshme e grave janë të vetëdijshme për rëndësinë e ekzaminimit të hershëm por pengesa të ndryshme si privatësia, frika dhe distanca nga shërbimet mund të ndikojnë në pjesëmarrje.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme