Kanceri i qafës së mitrës, nisin depistimet falas në Qendrat Shëndetësore për gratë 40-50 vjeç
Që prej datës 1 shtator, ka nisur fushata kombëtare e depistimit falas për kontrollin e qafës së mitrës, e cila do të zhvillohet në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.
Të gjitha gratë e lindura nga viti 1975 deri në vitin 1985 mund të paraqiten pranë mjekut të familjes, për të kryer këtë kontroll falas dhe të domosdoshëm për shëndetin e tyre. Kontrolli i hershëm shpëton jetë, pasi ndihmon në zbulimin dhe trajtimin në kohë të sëmundjeve që lidhen me qafën e mitrës, duke parandaluar pasoja serioze për shëndetin e grave.
“Më dha një shenjë që nuk më pëlqeu, vajta për kontroll dhe bëra biopsi ku dola me kancer. Tani jam shumë mirë, e kapa në kohë. U bëj thirrje të gjitha grave që të mos kenë frikë as nga kimiot dhe rrezet dhe të bëjnë kontrollet të shpëtojnë jetën e tyre”, u shpreh një qytetare.
Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë kujdesin e grave për shëndetin e tyre, duke u dhënë mundësinë të përfitojnë nga një shërbim i specializuar pa asnjë kosto.
“Këto depistime janë shumë të rëndësishëm sidomos për moshën tonë që rrisku është më i lartë”, u shpreh një qytetare tjetër.
Burime në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë bëjnë me dije se vitin e kaluar, janë realizuar 547 teste, nga të cilat pozitive kanë rezultuar 39 ose thënë ndryshe 7.12%. Për këtë fushatë, janë 600 kite në dispozicion dhe ka nisur tërheqja e tyre nga qendrat shëndetësore.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




